Loading...

Robert Ndreniika ‘mahnitet’ nga Erion Veliaj, pranon rrafshimin e teatrit dhe zbulon projektin e ri

Aktori Robert Ndrenika, i cili me fjalimin e tij të para dy javëve sensibilizoi gjithë opinionin publik për rrezikun që i kanosej ndërtesës së Teatrit Kombëtar, ka shprehur pëlqimin e tij për projektin e një godine të re, prezantuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. E me sa duket, godina ekzistuese do të rrafshohet.

Ditën e premte, kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, ka zhvilluar disa takime, veç e veç me disa artistë, madje mund të themi, me disa nga më të angazhuarit për çështjen e teatrit. Janë konfirmuar takimet me aktoren dhe pedagogen Ema Andrea, me aktorin e pedagogun Genci Fuga, të dy kandidatë të deklaruar, për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar.

Përmes një statusi në faqen e vet në “Facebook”, edhe aktori Robert Ndrenika ka konfirmuar takimin e tij me Veliajn. Dy të parët, Andrea dhe Fuga kanë deklaruar se e kanë pëlqyer projektin e prezantuar nga Veliaj. Mendimit të tyre i bashkohet edhe Ndrenika.

KOMENTI

Pas përhapjes së lajmit se Veliaj ka takuar disa artistë, mes të cilëve edhe aktorin e madh Robert Ndrenika, sigurisht që komentet që e shoqëruan ishin nga më të ndryshmet. Ky takim u komentua si përçarja e radhës pas takimit të një grupi tjetër artistësh në zyrën e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, në një kohë që shumica e prisnin atë në sallën e Teatrit Kombëtar. Me sa duket këto komente, të cilat shoqëruan lajmin që qarkulloi nëpër portale dhe rrjete sociale, nuk i kanë pëlqyer kolosit të skenës, i cili ka shkruar disa radhë në faqen e tij në FB, ku gjente miratimin e gjithë ndjekësve të tij.

Përveçse ka shprehur pëlqimin e tij për projektin, sipas tij modern, Ndrenika shkruan se i ka kërkuar kryetarit të bashkisë që më parë të konsultohet me komunitetin e artistëve. Po ashtu, ai nuk e ka fshehur zemërimin me mediat, duke thënë ndër të tjera se ka të drejtë që nuk dëshiron të ketë të bëjë me gazetarët.

Duke iu referuar takimit të së premtes paradite, Ndrenika shkruan: “I zgjedhuri me vota të fshehta nga populli i Tiranës si kryebashkiak (z. Erion Veliaj), më gostiti në zyrën e tij me një machiato dhe gjysmë gote ujë… ndërkohë që më tregoi një projekt teatri modern, që nuk e mohoj se më pëlqeu shumë… Ndërkohë që i thashë, se duhet konsultuar me komunitetin teatror… Si konkluzion unë nxjerr (në këtë orë të darkës) se paskam pasur shumë të drejtë, që nuk dua të kem të bëj me gazetarë!!!”.

FJALIMI

Gati dy javë më parë (8 shkurt), gjatë një takimi të Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit për çështjen e zhvendosjes së trupës së Teatrit Kombëtar në teatrin “Turbina”, shembjes së godinës aktuale e projektin ri, si dhe projektligjin “për disa ndryshime në Ligjin Për Artin dhe Kulturën”, Robert Ndrenika do të bashkohej me aktorët e “rebeluar”, do të merrte mikrofonin dhe do të shprehte edhe ai mendimin e tij për çështjet në fjalë.

Ndër të tjera, Ndrenika do të shprehej: “E kam thënë dhe e them, që të gjitha kryeqytetet e Ballkanit, që i kam parë, kanë teatro kombëtare, godina dhe infrastrukturë të mrekullueshme. Teatri ndërtohet një herë në 500 vjet. Brezi juaj dhe i imi, mund të mos dimë të interpretojmë, mund të dalë ndonjë e të thotë: Hë mo, ç’janë këta, por nuk mendohet që Shqipëria të rrijë pa aktorë. Godinat e teatrit të Beogradit, Bukureshtit, janë 500-600 vjeçare, janë monumente kulture. Këtu po ndërtohen xhamira e kisha dhe s’po ngrihet një teatër. Ia thashë dikujt dhe më tha që atë xhami po e ndërton Erdogani. Epo aq më mirë sepse kisha dhe xhamia e shqiptarit është teatri dhe i takon shtetit shqiptar të ndërtojë një teatër, që të jetojë 500-600, pse jo dhe 1000 vjet. Prandaj, këtë ne duhet ta kërkojmë nga shteti shqiptar. Atë “Turbinën” e pashë me miq, ajo është qesharake. Për teatër ajo nuk bën. Ajo është vetëm për ndonjë fushatë elektorale, përmbledhëse, prandaj ajo fjala që i thashë ministreshës, që do shtrihem para teatrit dhe që më ironizoi duke më thënë të vijë të shtrihet, të interpretojë te “Turbina”, paska qenë me vend. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër, pa marrë vesh se çfarë do të bëhet në të. Opera të mos guxojë të qaset.”

Fjalimi i Ndrenikës do të bëhej “viral” (po huazoj një ‘term’ të portaleve on line) në rrjetet sociale dhe janë të gjitha gjasat që nëse nuk do të kishte folur Ndrenika, “kryengritja” e artistëve nuk do të kishte pasur atë ndjeshmëri që pati nga opinioni publik.

Fjalimi i Ndrenikës u pasua me një letër të hapur të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, botuar së pari në gazetën “Panorama” e më pas nga një përgjigje e aktorit të madh, po te “Panorama”. Tetë ditë pas mbledhjes së SASE-s, Ndrenika takoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke deklaruar pëlqimin e tij ndaj projektit që kryebashkiaku i ka prezantuar.

Është kjo një tërheqje e Ndrenikës nga ai akti sublim i shtrirjes para godinës së TK, që ajo të mos prishet apo interesimi i një aktori që ka i ka dhënë jetën skenës dhe një qytetari të Tiranës, për fatin e hapësirës ku sot ngrihet teatri, i cili rrezikon të kthehet në truall kullash?!

ANDREA: AJO QË M’U PREZANTUA, MË PËLQEU

Aktorja dhe pedagogia pranë Universitetit të Arteve, Ema Andrea, po ashtu ka qenë në një takim me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj dhe ka pranuar se i ka pëlqyer projekti që i ka prezantuar kryebashkiaku. “Unë në takim me Veliajn kam qenë vetëm, m’u premtua që projekti do të bëhet transparent e publik! Ajo që m’u prezantua, më pëlqeu! Po!”, ka pranuar Andrea në faqen e saj në “Facebook”.

Fuga: Ishte intrigues, kishte një simbolikë të gjetur

Aktori dhe pedagogu Genci Fuga ka pranuar të ketë takuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Fuga u shpreh: “Nëse është folur për ‘blerje’, mund të them se ka qenë ‘blerje mendjesh’, pra, një takim-test për të marrë mendime mbi këtë projekt. Veliaj më paraqiti një projekt-fasadë dhe normalisht jam interesuar për detaje në lidhje me këtë projekt dhe mbi të gjitha i kam kërkuar që ai të diskutohet me komunitetin”, tha Fuga. “A është i bukur, a ia vlen, unë them se po. Më pëlqeu, ishte intrigues, kishte një simbolikë të gjetur”, tha ai.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com