Reshjet intensive në disa zona, do të shtohen gjatë ditës së nesërme. Kështu sipas parashikimit të motit për pasditen e sotme dhe ditën e nesërme, parashikohet që zona të Vlorës të përfshihet sërish nga mot i keq dhe reshje të shumta.
Më poshtë keni parashikimin e motit nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.
Reshjet
Sot pasdite deri nesër në mesditë priten reshje mesatare. Në shumicën e qarqeve ato do të jenë lokalisht intensive (duke u shoqëruar edhe me shtrëngata), deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Vlorës (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Në zonat malore priten reshje dëbore në 400m mbi nivelin e detit (në zona të kufizuara edhe më poshtë se ky nivel).
Nesër pasdite reshjet do të bëhen të dobëta.
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, rezulton se ditën e sotme dhe nesër në basenin e Lumit Vjosa do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve. Prurjet më të larta nga drejtimi i Lumenjve Drinos dhe Shushica do të jenë përgjatë ditës së sotme ndërsa në pjesën e poshtme fushore të Lumit Vjosa, prurjet dhe nivelet më të larta do të vërehen përgjatë të ditës së nesërme.
Rritje të prurjeve dhe niveleve përgjatë dy ditëve në vazhdim do të kenë edhe Lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës. Lumenjtë e tjerë në të gjithë territorin do të kenë rritje të prurjeve dhe niveleve, por nuk paraqesin rrezik.