Fabrika e pasurimit të bakrit në minierën e Spaçit në Mirditë, një investim i kompanisë “Tete Albania” prej 25 milionë dollarësh, është gati të nisë procesin e pasurimit të mineralit të bakrit, çka i rrit vlerën mineralit. Në një vizitë që Kryeministri Edi Rama bëri në këtë fabrikë u njoh nga drejtuesit e kompanisë me investimin e kryer në të dhe në minierë, ku deri më tani janë hapur rreth 2500 metra galeri nëntokësore.“Investimi total do të jetë 25 milionë dollarë,” shprehet përfaqësuesi i kësaj kompanie. Ngritja e kësaj fabrike, vlerësoi Kryeministri, rrit kapacitetet e industrisë minerare në vend, ku po kryhen investime të munguara prej mëse dy dekadash. “Ne kemi një zhvillim të rëndësishëm në tërësi në këtë fushë, me investime që s’janë bërë në 20 vjet. Edhe ky investim 25 milionë euro është goxha i rëndësishëm,” u shpreh Kryeministri Rama.
Aktualisht janë punësuar 200 punonjës dhe kompania planifikon me hapjen e galerive të reja që numri i të punësuarve të shkojë në 300. “Së bashku me nënkontraktorët janë afro 200 persona që po punojnë, por numri mund të shkojë në 300,” tha përfaqësuesi i kompanisë. Por rekrutimi i punonjësve të kualifikuar vijon të mbetet një shqetësim i ngritur jo për herë të parë nga kompanitë e huaja që operojnë në vendin tonë. “Kemi vështirësi për të gjetur sidomos persona teknikë,” u shpreh përfaqësuesi i firmës.
Kryeministri Rama nënvizoi se synimi është të krijojmë një forcë të kualifikuar pune, duke qenë se kjo është një zonë me rezerva minerare dhe me potenciale të mëdha për zhvillimin më tej të kësaj industrie. Për këtë qëllim, një shkollë profesionale për minierat është hapur në Bulqizë. “Nuk është thjesht çështja të krijojmë vende pune, por edhe të krijojmë aftësi për punë, sepse na ndodh vazhdimisht që punë ka, por mungojnë kapacitetet teknike për të bërë ato lloj punësh. Ne kemi hapur një shkollë profesionale për minierat këtu në Bulqizë, me sistemin që një pjesë të javës e kalojnë në shkollë, një pjesë në punë, e cila ju ndihmon dhe ju, ndihmojmë edhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit,” u shpreh Kryeministri.
Ana tjetër e investimeve të reja, u shpreh Kryeministri, është se ato kanë rritur jo vetëm nivelin e pagave në këtë sektor, por edhe kushtet e punës në miniera. “Ky është një sektor që ka pasur shumë problematika nga të gjitha pikëpamjet, të sigurisë, të zhvillimit dhe punësimit. Nuk kemi arritur ta çojmë aty ku duhet, sepse ka edhe më shumë punë, por sot kemi një situatë krejt tjetër. Mesatarja e pagesave në sektorin minerar është mbi mesataren e përgjithshme,” u shpreh Kryeministri, duke e konsideruar një transformim industrial. “Gjëja më e rëndësishme për be është se po ndodh një transformim dhe po kalojmë nga merre mineral, nxirre jashtë, në pasurimin këtu dhe në rritjen e vlerës këtu. Kjo po ndodh edhe me bakrin, edhe me kromin dhe është një transformim i madh industrial.“