Dy persona mbetën të plagosur mesditën e djeshme në Selitë të Tiranës, pas një përplasjeje me armë që ndodhi para një lokali.
Policia tha se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa është shpallur në kërkim autori i dyshuar, i cili menjëherë pas ngjarjes është larguar me makinë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30, ndërsa të plagosurit janë Valmend Pelivani, 27 vjeç, që tashmë e kishte ndryshuar emrin në Gjon, si dhe miku i tij, Renato Hoxha, 31 vjeç, që mësohet se është qëlluar aksidentalisht.
Burimet thanë se i dyshuari është Florian Musai, pronar i lokalit para të cilit ndodhi ngjarja. Gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes Musait dhe Pelivanit.
Ky i fundit ka shkuar te lokali i të dyshuarit për t’u sqaruar në lidhje me një sherr që kishte pasur me miqtë e tij. “Pse je zënë me shokët e mi?”, kjo ka qenë pyetja që ka nxehur gjakrat mes të rinjve. Fillimisht kanë debatuar me tone të ashpra, fyerje e kërcënime, më pas kanë nxjerrë armët.
Burimet thanë se Musai dyshohet se ka qëlluar për t’i larguar personat që i kishin shkuar para lokalit, pasi plumbat i kanë goditur në këmbë të dy të plagosurit. Policia tha se ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe po punon për kapjen e autorit. Ndërsa dy të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Informacioni paraprak
Më datë 16.02.2018, rreth orës 12:30, në rrugën “Irfan Tomini”, gjatë një konflikti të çastit janë plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasit R. H., 31 vjeç dhe Gj.P. 27 vjeç., të dy jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar në kohë në vendngjarje ku kanë bërë identifikimin e autorit dhe po punohet intensivisht për kapjen e tij.
Pika të shumta kontrolli dhe në lëvizje për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes