Çështja e detit midis Greqisë dhe vendit tonë ka ngjallur debat në politikë dhe jo vetëm, kohët e fundit pas deklaratës së ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias.
Marrëveshja u përfol se i dhuronte fqinjit 12 milje nga deti ynë, duke shkelur kështu të drejtat kombëtare të vendit, konform ligjeve ndërkombëtare.
Mirëpo sipas gazetës Koha Jonë presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk do t’i japë plotfuqishmërinë Ministrisë së Jashtme për të negociuar një marrëveshje të re me Greqinë, nëse nuk përmirësohen disa nga problematikat e konstatuara në shkresën që një javë më parë iu drejtua kreut të shtetit.
Gazeta shkruan se presidenti Meta pasi u konsultua me gjithë ish-presidentit e shtetit shqiptar si Berisha, Mejdani, Moisiu, Topi dhe Nishani, si dhe me kryetaren e komisionit të politikës së jashtme Mimi Kodheli dhe zv/kryetarin Tritan Shehu me sa duket ka vendosur t’ia kthejë kërkesën ministrisë së jashtme për plotësime. Ata i kanë zugjeruar që qeveria të bëjë transparente negociatat me palën greke.
Ai i ka shkruar një letër ministrit Bushati ku i shpreh problematikat e konstatuara në kërkesën e bërë një javë më parë për dhënien e plotfuqishmërisë.
Në këtë shkresë, kreu i shtetit do t’i kërkojë ministrit Bushati që të saktësojë emrat e negociatorëve që do të negociojnë për marrëveshjen e re me Greqinë. Dhe është krejt normale, pasi Presidenti i Republikës nuk mund të firmosë një shkresë dhe emrat të plotësohen nga qeveria. Emrat duhet parë, seleksionuar, kaluar në skaner dhe me pas vendoset.
Konsultimet e zhvilluara me paraardhësit e tij e kanë shtyrë Presidentin e Republikës që në shkresën, që do t’i dërgojë Ministrisë së Jashtme, të kërkojë edhe transparencë për të gjithë negociatat që janë zhvilluar dhe do të zhvillohen me palën greke.
Kjo transparencë do të konsiderohet e nevojshme për kreun e shtetit, në një kohë që në median greke, përfaqësues të lartë të qeverisë kanë deklaruar se kanë përmbyllur marrëveshjen e detit me Shqipërinë.
Kryetari i Shtetit ka përgjegjësinë kushtetuese që të mos firmosë asgjë që prek interesat e kufinjtë e shtetit shqiptar.