Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat.
Tradita e hershme e gjysheve dhe nënave përsëritet brez pas brezi. Receta e petullave pavarësisht se pasurohet me përbërës të tjerë ajo mbetet përherë e gjithmonë më e preferuara.
Të shijshme, me sipërfaqen pakëz krokante dhe të buta nga brenda, nga fëmijëria e në çdo moshë ato tërheqin shijen e kujtdo.
Më poshtë keni përgatitjen e petullave të shtëpisë të futura në kos dhe hudhër, një recetë fantastike për ta përgatitur në familje në çdo kohë.
Receta e Shijshme e Përgatitjes së Petullave të Shtëpisë
2 gota uji me miell
1 gotë uji me kos
1 kokërr vezë
Gjysmë luge kafeje me sodë
Vaj
Pak kripë
Pak nenexhik i freskët i grirë hollë
Pak gjalpë (një lugë të vogël)
Përgatitja e petullave
Në një tas të madh hedhim vezën, kosin, kripën, nenexhikun dhe pak gjalpë.
I rrahim fortë të gjithë përbërësit dhe më pas hedhim miellin dhe sodën.
Vijojmë t’i rrahim fortë derisa masa e brumit të jetë e njëtrajtshme.
Brumi duhet të jetë gjysmë i trashë dhe elastik.
Hedhim vajin në një tigan, të cilin e vendosim në zjarr.
Kur vaji të jetë nxehur nisim të skuqim petullat.
Mund të përdorim një lugë gjelle për ndarjen e brumit për çdo petull.
Duhet të kujdesemi që largësia nga njëra tjetra duhet të jetë deri në 3 apo 4 cm sepse gjatë skuqjes brumi hapet.
Petullat skuqen nga njëra anë dhe pastaj kthehen nga ana tjetër.
Përgatitja e kosit me hudhra
Për një person merret një gotë kos, hollohet me pak ujë, i shtohet pak kripë, një thelpi hudhër e shtypur, përzihen pak dhe në të shtohet disa petulla, sipër sipas preferencës mund ta spërkasni me pak gjalpë të shkrirë ose vaj ulliri.