Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, aktori Gentian Zenelaj ka shprehur sot ngushëllimet për Ermal Laze, punonjës i Teatrit Kombëtar, i cili u nda nga jeta pak orë më parë pas një sulmi të papritur ishemie.
Në shkrimin e tij, Zenelaj shprehet se ndihet i trishtuar për faktin që kur të hedhë sytë në të djathtë të skenës s’do e shohë më Ermal Lazen aty dhe se pjesë e suksesit nuk janë vetëm aktorët, por edhe punonjësit e teatrit.
“Pas çdo shfaqje të suksesshme…pas çdo duartrokitje të zjarrtë pas çdo shkëlqimi projektorësh qëndrojnë disa njerëz pa fjalë…njerëz që punojnë me përkushtim çdo ditë…njerëz që nuk e kalojnë kurrë fondalin por të qeshur nga xhepat e skenës marrin krenari nga suksesi i shfaqjes ndërsa ne aktorët përkulemi përpara publikut…dhe pjese dhe meritë të padiskutueshme në këtë sukses kanë edhe ata…por një nga ata sot nuk është më.
Qofsh i parajsës Ermal.. na trishtove të gjithëve Ermal…sa trishtim që kur të hedh sytë në të djathtë të skenës s’do jetë më silueta jote aty. I buzëqeshur si gjithmonë”, shkruan Zenelaj.