Loading...

Pasta flora:Per te embelsuar ditet e ftohta

Pasta Flora është një ndër ëmbëlsirat më të preferuara të shqiptarëve.

E thjeshtë për t’u përgatitur, fantastike për t’u shijuar me një filxhan kafeje apo çaji në çdo kohë të ditës.

Është ëmbëlsira ideale për të pritur miqtë dhe për të ëmbëlsuar më të dashurit në familje.

Kjo ëmbëlsirë është shndëruar tashmë në një traditë të kuzhinës shqiptare.

Pasta Flora në fakt është një tartë e përbërë nga një petë brumi e shkrifët e mbushur me reçelra të ndryshëm.

Shija e kësaj ëmbëlsire është si ajo e një biskote të shkrifët të kombinuar me reçel.

Sidomos në këto ditë festash, përgatitja e kësaj ëmbëlsire do të shtonte edhe më shumë atmosferën festive duke e shijuar në familje apo mes miqsh.

Më poshtë receta tipike të përgatitjes së pastës Flora në shtëpi.

Përgatitja e Pastës Flora në Shtëpi

Përbërësit

2 gota ujë me miell

5 lugë gjelle sheqer

2 filxhanë kafeje margarinë

1 kokërr vezë

Gjysmë luge kafeje me sodë

5 lugë gjelle me kos

Një tas mesatar me reçel (lloji i reçelit zgjidhet sipas preferencës)

Përgatitja

Në një tas të madh rrahim si fillim vezën, më pas shtojmë sheqerin dhe sodën, i përzjejmë dhe shtojmë kosin.

Vijojmë përzjerjen derisa masa është bërë homogjene.

Në vijim, masën e përgatitur e shtojmë nga pak tek mielli që kemi vendosur në një tas dhe përgatisim brumin me dorë.

Pasi brumi është shndërruar në një masë të njëtrajtshme e hapim në tavolinën e punës në formën e një pete të trashë, e cila nuk duhet të jetë më e trashë se një centimetër.

Para se të hapim petën kujdesemi që mënjanë të lëmë një masë brumi më vete, të cilën do ta përdorim për shiritat që do vendosim mbi tartë.

Petën e përgatitur e vendosim në një tavë. Sipër saj shtrojmë masën e reçelit. Në fund marrim brumin që kemi lënë mënjanë, e ndajmë në shirita të hollë dhe e vendosim në formën e rombave (si në foto) mbi reçelin që kemi shtruar.

Shiritat nëse dëshironi mund t’i lyeni me vezë me ndihmën e një furçe kuzhine.

Piqet në furrë, derisa shiritat e sipërm të marrin ngjyrë të artë në të kuqërremtë përreth 40 minuta.

Pritet në pjesë dhe serviret kur është e ftohtë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com