“Edhe muret kanë veshë”, kështu titullohet nisma e re e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit që nisi sot, më 20 shkurt, në përvjetorin e 27-të të rrëzimit të shtatores së ish diktatorit, e që i kushtohet mbledhjes së dëshmive të të gjithë atyre që vuajtën gjatë regjimit komunist. Bashkia e Tiranës është e para që e ka mbështetur këtë projekt, i cili kurohet nga kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit, Gentjana Sula, dhe synon të sjellë në dritë një copëz historie, përmes përjetimeve personale.
Në 27 vjetorin e rënies së shtatores të ish diktatorit komunist, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kryetaren e AIDSH, Gentjana Sula, dhe ideatoren e këtij projekti, artisten Alketa Xhafa Mripa, me të cilat bisedoi mbi mundësitë e bashkëpunimit për realizimin e kësaj nisme, që do të krijojë mundësi që shumë njerëz të sjellin dëshmitë dhe përjetimet e tyre personale në vitet e regjimit komunist, ndërsa për të rinjtë të njohin një pjesë të historisë më të errët të vendit tonë.
Veliaj theksoi se ky projekt sjell një alternim të artit me historinë, për të prurë në memorien e brezit të sotëm ngjarje dhe vuajtjet e mijëra shqiptarëve në regjimin komunist. “Bashkia e Tiranës do të përfshihet në aktivitetet që do të zhvillohen në kryeqytet sepse besoj se nëse nuk i kushtojmë burime në kohë, energji dhe në financa këtij operacioni të pastrimit të vetvetes, humbasim një shans historik. Ndaj, kjo nismë meriton gjithë përgëzimin tonë, ju uroj punë të mbarë dhe mirëpres ta finalizojmë në datën 9 maj, ku jo vetëm përkujtojmë ditën e rënies së fashizmit dhe “Ditën e Europës”, por edhe reflektojmë pak se çfarë solli rënia e fashizmit në Shqipëri. Në shumicën e Europës rënia e fashizmit solli lirinë, kurse në Shqipëri solli pranga të tjera”, u shpreh ai.
Gjithashtu, kreu i Bashkisë së Tiranës shprehu kënaqësinë që falë ndryshimeve (në kohën kur ishte Ministër i Mirëqenes Sociale dhe Rinisë) në ligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, si dhe me miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve, sot këto dy procese kanë ecur paralelisht, duke dhënë rezultatet e pritshme për të gjithë ata që vuajtën në diktaturë.
“Më vjen mirë që kemi ecur me kompensimin financiar të ish të përndjekurve, jemi thuajse në këstin e 8-të. Më vjen shumë mirë që në disa simbolika, duke qenë se sot është përvjetori i rënies së shtatores, në qendër të sheshit ‘Skënderbej’ kemi vendosur njeriun e thjeshtë dhe jo shtatoren e ish diktatorit. Po i shohim dukun këtij ligji të rëndësishëm për hapjen e dosjeve, ku shumë autoritete me peshë në qytetin dhe në vendin tonë, po i hapin dosjet e tyre për publikun”, shtoi Veliaj.
Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit, Gentjana Sula, falenderoi Bashkinë e Tiranës për mbështetjen dhe theksoi se ky projekt do t’i japë zë shumë dëshmive dhe përjetimeve të atyre që kanë vuajtur mizoritë e sistemit të shkuar. “Jemi këtu për të mbledhur mesazhet e pathëna që kanë mbetur gjatë diktaturës, përjetime, vuajtje, shija e kurajës dhe e solidaritetit. Është një projekt i Autoritetit, që bashkë me dosjet, që janë përgjithësisht instrumente të shtypjes dhe denigrimit të personave të rëndësishëm të shoqërisë sonë të asaj kohe, dhe dëshmive gojore, ta themi historinë në 360 gradë. Pra, për të thënë atë që është shkruar, por edhe për atë që është përjetuar në atë kohë”, tha Sula.
Artistja Alketa Xhafa Mripa theksoi se kjo nismë, përmes artit dhe historisë, kërkon të provokojë mbi të shkuarën. “Të gjithë janë të mirëseardhur, të tregojnë ndonjë rrëfim apo histori që e kanë dëgjuar prej gjyshërve, familjes, për kohën e regjimit barbar që ka ndodhur këtu në Shqipëri. Kjo nuk është një dhimbje vetëm për viktimat dhe familjarët, por për të gjithë kombin shqiptar”, tha ajo.
Projekti do të mbledhë histori në mbarë vendin, duke përzgjedhur kontributet më të mprehta nga secili rajon ku kanë ndodhur këto drama çnjerëzore, për t’u projektuar në një monument ose pikë referimi në disa qytete të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Tepelenë, Berat, Elbasan, Burrel etj. Fraza poetike apo thënie që buronin nga tragjedia njerëzore e shtypjes së çdo forme të lirisë, do të shkëputen nga dorëshkrime, dokumentime apo arkiva personale të personazheve të internuar, që artistja do të hulumtojë nëpër territorin shqiptar. Më pas këto “tekste të ndaluara” do të projektohen në formate të mëdha, në të njëjtën datë (09 maj 2018), dhe në të njëjtën kohë nëpër qytete të ndryshme.