Policia ka finalizuar me sukses një operacion të iniciuar nga SHBA, në bashkëpunim me disa shtete, për arrestimin e një pjesëtari të një organizate kriminale në fushën e krimeve kibernetike “Infraud”.
Policia bën të ditur se është vënë në pranga në Tiranë Aldo Ymeraj, 25-vjeç, lindur dhe banues në Fier.
Sipas policisë, ndaj këtij shtetasi, ka një urdhër arresti nga SHBA, për vepra të ndryshme penale në fushën e krimit kibernetik, pjesëtar i një organizate kriminale që shiste të dhëna të vjedhura kartash krediti në thellësi të internetit, duke u shkaktuar konsumatorëve një humbje prej 530 milionë dollarësh.
Nga 36 personat ndaj të cilëve u ngrit padi, 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.
Grupi i quajtur Infraud, ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34 vjeçar ukrainas dhe përdorte një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale.