Fatmir Xhafaj nuk ndalon në misionin e tij për të spastruar policinë nga lidhja me krimin e kanabisin. Por duket se akoma nuk e ka situatën krejt në kontroll. Pastroi Kupolën e Policisë së Shtetit nga lidhjet me mafien e drogës, pavarësisht se disi në konflikt me kryeministrin, vendosi një drejtor të përgjithshëm profesionist dhe larg lidhjeve me krimin e pisllëkun në polici si Ardi Veliu. Po spastrojnë radhët e policisë këto javë që më pas të spastrojnë Shqipërinë nga krimi e korrupsioni. Ky me sa duket është mesazhi i ministrit të brendshëm nga Lezha ku bashkë me numrin një të Policisë shqiptare Ardi Veliu bënë analizën e punës. Por ministri nuk kishte shkuar thjesht në analizë, por edhe për të dhënë një mesazh publik për policinë, krimin, politikën e korruptuar. Ai tha se po spastrojmë e riorganizohemi vetë si fillim. Më pas, nënkuptohet!
Por ndonëse me një gjuhë politike e diplomatike si njeri politik, ministri la të kuptohej me fjalen “riorganizim” se nuk ishte aspak dakort me ish-ministrin e PS-së Saimir Tahiri për mënyrën se si e përdori policinë. Kush ka vesh e kupton mesazhin e ministrit Xhafaj.
Policia e Shtetit është duke u riorganizuar për t’i shërbyer parandalimit të krimit dhe një kontroll të mirë të territorit. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj pas analizës së policisë së Lezhës.
“Ne jemi duke bërë një riorganizim të ri policor që synon një kontroll më të mirë të territorit dhe një marrëdhënie të re të policisë me qytetarët. Duam të forcojmë praninë e policisë në territor, komunikimin e drejt për drejtë të oficerëve të komunitetit me banorët. Për t’i shërbyer parandalimit të krimit, dhe për të qenë më të vëmendshëm ndaj krimeve në mjedis, ndërtimeve të paligjshme dhe më shumë shërbim ndaj qytetarëve në jetën e tyre të përditshme”, tha Xhafaj.
Ministri foli dhe për vettingun në polici për të cilën tha se synon forcimin e besimit brenda radhëve të policisë, rritjen e besueshmërisë së qytetarëve tek policia dhe rritjen e efiçencës në zbatimin e ligjit.
Grupet kriminale janë fokusi i strukturave vendore dhe policisë kriminale, tha Xhafaj. “Është e vërtetë që ka një punë të mirë të nisur për identifikimin e këtyre grupeve kriminale, të përbërjes së këtyre grupeve kriminale dhe aseteve të krijuara prej tyre nga veprimtaria në Lezhë. Në kuadër të operacionit “Forca e ligjit” ne duam dhe jemi të vendosur për ti goditur fort këto grupe kriminale po dhe për t’iu prerë atyre dhe lidhjet ekonomike dhe asetet që kanë vendosur dhe i kanë si mjet për të ushtruar veprimtarinë kriminale”, tha ministri i Brendshëm.
Ministri i brendshëm foli nga Lezha për të dëgjuar Tirana. Po riorganizohemi urgjent si forcë policore dhe me pas politika e korruptuar dhe e lidhur me krimin do jetë pas hekurave.