Loading...

Matura 2018/ Tashmë do jenë pesë provime me detyrim e me zgjedhje

Edhe këtë vit, maturantët do t’i nënshtrohen pesë provimeve për të mbyllur ciklin e mesëm shkollor. Kjo përcaktohet në udhëzimin nr.28 të Ministrisë së Arsimit, i cili daton që më 29 dhjetor të 2017-ës, por është publikuar vetëm një ditë më parë.

Në listën e lëndëve me zgjedhje janë 50 të tilla, 21 prej të cilave u përkasin shkollave të mesme të përgjithshme, 3 atyre artistike dhe 26 për shkollat profesionale.

Maturantët e sivjetmë dhe ata të viteve të kaluara, që aspirojnë të ndjekin studimet e larta, duhet të plotësojnë në muajin mars Formularin A1/A1Z, ku të përcaktojnë lëndët me zgjedhje që i orientojnë drejt profileve ku aspirojnë të ndjekin studimet. Zgjedhja e provimeve, që e çojnë apo jo në universitet, mbetet në dorën e kandidatit.

“Maturanti/kandidati i shkollave të mesme të përgjithshme zgjedh dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje sipas tabelës në pikën 5, pavarësisht nëse i ka zhvilluar apo jo, apo i janë ofruar ose jo ato nga shkolla në planin mësimor”, thuhet qartë në udhë- zim. Kushtet janë të njëjta: duhen patjetër dy provime, shuma e krediteve të të cilave duhet të jetë së paku 8.

Sakaq, në udhëzim përcaktohet që e njëjta lëndë, me dije të thelluara apo bazë (për shembull Gjeografi bërthamë dhe gjeografi e thelluar) nuk mund të zgjidhet dy herë. Pas këtij udhëzimi, maturantët presin datat e provimeve e më pas kalendarin me datat e plotësimit të formularëve.

Sakaq, në faqen e MAS ata mund të punojnë me programet orientuese të lëndëve, që mendojnë t’i zgjedhin si provime me zgjedhje. Të gjithë maturantët, që kalojnë me sukses këtë proces, kanë të drejtë të aplikojnë për studimet e larta që këtë vit do të kryhen te qendra e shërbimeve arsimore. 40 mijë nxënës përafërsisht përfundojnë shkollimin e mesëm çdo vit.

Por, garues potencialë për në fakultete janë më pak, pasi një pjesë nuk kalojnë dot vitin, ndërsa të tjerë rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com