Termi Republika e Dukatit u përdor në media duke marrë shkas nga ngjarja e disa vjetëve më parë (19 qershor 2010), kur banorët e Dukatit u mblodhën në Kuvendin e Dukatit dhe i kërkuan shtetit t’u njihte kufijtë e fshatit dhe t’u njihte de jure të drejtën e pronës mbi territorin e trashëguar prej shekujsh.
Kërkesat e tyre u shoqëruan edhe me përplasje të forta me organet shtetërore. Termi republikë u përdor në mënyrë alegorike, por po të rrish e të mendosh, një territor si krahina e Dukatit me një sipërfaqe prej 313 km2, sa 1/89, që këndon me krenari “Dukat gjysma e Misirit (Egjiptit)”, dhe që laget nga 2 dete, fat të cilin e kanë vetëm 54 fshatra në gjithë botën; që është zotërues i territorit të të vetmit gadishull të vendit; që me fqinjët ndahet në horizontin e maleve të lartë; një Dukat që ka dhe peshkun, edhe qengjin dhe 42.2% e gjithë specieve të floristikës shqiptare në territorin e vet; një Dukat që ka potencialin më të madh të turizmit elitar në vend dhe një Dukat me një histori jashtëzakonisht të pasur më shumë se 2000-vjeçare, në rrethana të caktuara mund të kishte qenë dhe republikë.
Në një shkrim të prof. Ago Nezhës, Dukatit i shkon bukur krahasimi me San Marinon. Fakt është që krahina e Dukatit ka qenë një entitet i madh, historikisht i vetëqeverisur nga pleqësia dhe nga komuna e Dukatit, ndaj do t’i shkonte më mirë të ishte bashki. Shqipëria ka 3000 fshatra. Është e sigurt se nuk ka një fshat tjetër në Shqipëri që të jetë vizituar apo kaluar mes përmes tij nga thuajse çdo shqiptar i rritur dhe nga përqindja absolutisht më e madhe e turistëve të huaj.
Një tjetër e veçantë kjo që nuk mund të neglizhohet. “Funksionalitetet” ekonomike, sociale, zhvillimore dhe kulturore, që janë parime baze të reformës territoriale dhe riorganizimit administrativ te vendit, në krahinën e Dukatit janë sot më të plota se në çdo kohë, po të kemi parasysh fuqinë e shtuar të industrisë së turizmit, që rritet me ritme të shpejta, e cila harmonizohet në mënyrë perfekte me sektorët tradicionalë të ekonomisë, kryesisht me sektorin blegtoral. Kështu, “zona funksionale” qëndron në parametrat më të mirë.
Frika e justifikuar e banorëve të krahinës së Dukatit është pikërisht se aneksimi i Bashkisë së Orikumit nga Bashkia e Vlorës, mund të shkatërrojë “zonën funksionale” në Bashkinë Orikum. Funksionalitetin e një zone, Orikumi e ka të plotë dhe në përmirësim. Edhe anën sociale, që gjithashtu në këtë territor vazhdon të jetë me tipare të qëndrueshme, falë dhe identiteti të spikatur.
Ky socializim dhe identitet ekzistues, bën që vendimmarrja në Bashkinë e Orikumit të karakterizohet nga një vetëkontroll i fortë. Në rastin e aneksimit nga Bashkia e Vlorës, humbet vetëkontrolli i komunitetit për shkak të minorancës në vendimmarrje. Nga ana tjetër, tërheqja e shkallës së lartë të funksionalitetit në krahinën e Dukatit do të joshë kontingjente spekulativë, që nuk kanë lidhje me krahinën, por që kanë lehtësi në vendimmarrje nga jashtë zonës funksionale, pra në Bashkinë e Vlorës.
Fakti që e gjithë krahina e Dukatit është një ekosistem i mbrojtur natyror e bën zhvendosjen e vendimmarrjes në ndikim negativ për komunitetin, që historikisht ka jetuar në këtë territor. Kujtojmë këtu, psh. vendimmarrjen për ndërtimin e parkut në kurorën e maleve të krahinës së Dukatit, e cila injoroi trashëgiminë shekullore mbi territorin e vendësve, gjë që çoi në një reagim, me të drejtë të ashpër.