Loading...

Lajm i shumepritur dhe i merituar:Tragjasi mes 100 fshatrave turistikë

Në Luginën e Dukatit, 20 km në jug të Vlorës ndodhet Tragjasi.

I shtrirë rrëzë malit të Lungarës i cili e mbron në dimër dhe e hijeshon gjatë verës është një nga perlat e turizmit shqiptarë.

Është një fshat piktoresk me monumente të Natyrës dhe të historisë.

Në Tragjas burojnë ujërat e njohura të Tragjasit ( Izvori ) me rrepet shekullore.
Këto burime pasi mblidhen në një rrjedhë, krijojnë lumin e Izvorit i cili pas një rruge rreth 3 km, derdhet në detin Adriatik.

Janë tre fshatra të radhitur bukur, Dukat-Tragjas-Radhimë që bëjnë pjesë në bashkinë e Orikumit.

Ekonomia e Tragjasit dikur bazohej te blegtoria dhe bujqësia, por së fundmi, një drejtim i ri i ekonomisë duket se është turizmi edhe për shkak të bukurive natyrore, historisë së tij, por dhe të distancës së vogël nga plazhet e Orikumit dhe Radhimës.
Fare pranë fshatit ndodhet kalaja e Gjon Boçarit që është një atraksion për turizmin historik dhe atë kulturorë.

Fshati ka një histori të lashtë sepse lidhet me qytetërimin e hershëm të Orikut.
Gjurmët e vendbanimit të lashtë janë shfaqur në qytezën e Sofës, ku janë shfaqur dhe tuma(varre) Ilire.

Akoma dhe sot pranë Tragjasit të vjetër, gjendet një vend i quajtur “maja e qytetës”. Arkeologët kanë datuar rrënojat e disa ndërtimeve qysh nga shekulli i IV-VII para Krishtit.

Ky fshat ka qenë i njohur me disa emra si: Tregas, Dragjat, Tregasaj, Dragjiates.
Në antikitet ky vendbanim bënte pjesë në qendrat e fortifikuara të gjirit të Vlorës dhe lidhej me Orikumin.

U shkatërrua disa herë nga pushtuesit Osmanë e u rindërtua në shekullin XVI, ku ngre krye dhe kalaja e Gjon Boçarit.

Ndërtimi i saj është i lidhur me fisin e Boçarëve bashkëkohës të Skënderbeut. Banorët e këtij fshati kanë marrë pjesë aktive në jetën politike dhe ushtarake të periudhës së mesjetës, në kryengritjet antiosmane dhe më pas gjatë rilindjes kombëtare.

Në ditët e shpalljes së pavarësisë në 1912, Tragjasi ka qenë një bazë dhe një mbështetje e rëndësishme për Ismail Qemalin në betejat e brëndshme politike që zhvilloheshin në Vlorë.
Ky fshat ka nxjerre burra të shquar me bëma patriotike dhe epike që kanë lënë histori edhe sot.

Vizitori apo turisti që ngjitet në Tragjas apo në krejt luginën e Dukatit, do të soditë jo vetëm natyrën e bukur me det e qiell, me burime ujore Monumente të Natyrës, por do të njihet dhe me historinë e lashtë të tij, me Boçarët dhe kështjellën e tyre, me rrënoja e murrana që tregojnë historinë e kësaj lugine që së shpejti do të futet në investimet me prioritet të 100 fshatrave turistik shqiptarë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com