Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie të fortë gjatë ditës së sotme në tregun vendas, duke arritur në nivelin më të ulët që nga fundi i muajit qershor.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 132.05, me një rënie të fortë prej 0.3 lekë. Kjo është rënia më e madhe ditore që nga 21 qershori.
Ky është niveli më i ulët i monedhës së përbashkët që nga qershori i vitit të kaluar, kur euro zbriti në 131.98 lekë, niveli më i ulët të afër 10 viteve, dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 25 qershorit, si rrjedhojë e ofertës së lartë në valutë.
Ekspertët e tregut valutor pohojnë se rënia e ditës së sotme ka ardhur si rrjedhojë e disa faktorëve.
Së pari, euro ka rënë sot në bursat ndërkombëtare, ndonëse ajo vijon të mbetet afër nivelit më të lartë të tre viteve. Monedha e përbashkët u nënçmua sot me 0.15%, duke arritur në 1.2317 USD, nga 1.25 USD që arriti pak ditë më parë.
Së dyti, euro prej disa kohësh po shfaqet e dobët në tregun vendas dhe kjo është kthyer në një tendencë të qëndrueshme. Kjo dobësi shpjegohet me ofertën e lartë për valutë në tregun e brendshëm, e cila ka mbizotëruar përgjatë gjithë vitit 2017 dhe në muajt e parë të 2018-s. Në sektorin e ndërtimit psh ka pasur një valë shitjesh të shtëpive në euro, që janë konvertuar më pas në lekë. Megjithatë, Ilirian Ligaçaj, drejtor i thesarit në Union Bank pohon se nuk ka indikatorë të qartë të nivelit të ofertës në euro që hyn në Shqipëri.
Nga ana tjetër, përdorimi i euros pritet të vijë në ulje, pas strategjisë së Bankës së Shqipërisë për të reduktuar nivelin e euroizimit në ekonomi. “Euro do jetë vazhdimisht e dobët sepse do të përdoret më shumë monedha vendase edhe në kredidhënie”, pohon Ligaçaj. Ai shton se nëse edhe kontratat e shitblerjeve të mëdha si makina apo shtëpi do kthehen në lekë, kjo do e dobësojë më tej euron.
Një tjetër faktor që ka nxitur rënien e euros në tregun vendas sipas ekspertëve të kursit të këmbimit janë pagesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ekspertë të tjerë të këmbimeve valutore shtojnë për Monitor se ka pasur fluks të firmave që kanë thyer valutën për të paguar detyrimet. Megjithatë ata shtojnë se presin që monedha e përbashkët të stabilizohet në ditët që do të vijnë.
Edhe dollari ka shënuar rënie në tregun e brendshëm, duke u këmbyer me 107.14 lekë, 0.09 lekë më pak se një ditë më parë. Nënçmimi i dollarit tek ne, në një kohë që në bursa ai ka qenë në rritje është një tregues se luhatjet në kursin e këmbimit janë nga faktorë të brendshëm.