Sot Koço Kokëdhima ka bërë thirrje në një status të tij, si lider i levizjes politike që drejton, si ish-deputet dhe njeri i medias, për të rrëzuar kryeministrin Rama me çdo mënyrë dhe kusht. Kokëdhima edhe para disa ditëve bëri thirrje për një Avni Rustem të dytë, kur po diskutohej falja e detit, bile nënkuptoi se do të ishte vetë një Avni Rustem për të mbrojtur kufijtë e shtetit shqiptar. Dihet nga historia se Avni Rustemi vrau në Paris, Esad Pashë Toptanin pasi po shiste trojet shqiptare e ishte vënë nën urdhërat e qarqëve antishqiptare. Burime pranë shtabit luftarak të Kokëdhimës tregojnë se nuk ka nevojë, tani për tani, për një Avni Rustem, pasi qeveria u tërhoq nga falja e detit, edhe nga frika e Koços. Por nuk tërhiqet Kokëdhima. Ai kërkon rrëzimin e kryeministrit me çdo mjet, bile thotë se do ta udhëheq popullin personalisht. Një zotim i madh ky.
Ja se ç’shkruan sot Kokëdhima, që ka alarmuar institucionet e shtetit, bile nga burime të besueshme thuhet se kryeministri ka kërkuar arrestimin e Koço Kokëdhimës për thirrje antikushtetuese dhe destabilizuese.
Sot Kokëdhima shkroi se:“Unë kam përkushtimin, kurajon, dijet, forcën, urtësinë dhe vendosmërinë e palëkundur që ta udhëheq popullin tonë drejt shembjes së tiranisë që na sundon. Zgjohuni! Kush e ka dorëzuar lirinë për pak para, siguri dhe paqe nuk meriton as liri, as para, as siguri dhe as paqe. Të ngrihemi të gjithë në këmbë dhe t’i përmbysim kusarët dhe kriminelët që mbajnë peng Shqipërinë prej 27 vitesh! Mos u trembni! Ne s’kemi çfarë të humbasim. Shqipëria është kthyer në parajsë për tiraninë e hajdutërisë dhe ferr për popullin e thjeshtë që shtypet e dëbohet pa mëshirë. Nga kjo luftë do të fitojmë lirinë, jetën, të ardhmen; do të fitojmë Shqipërinë që kemi humbur. Ajo as na njeh, as na do dhe as na mban më! Për këto ia vlen të sakrifikojmë gjithçka!”.
Kryeministri ka kërkuar nga prokurorja e përgjithshme që të firmoset arresti për ish-deputetin e PS-së Koço Kokëdhima. Mësohet se janë mbledhur deklarimet e Kokëdhimës dhe po bëhej gati arrestimi i tij me akuzën “thirrje antikushtetuese që cënojnë rendin publik në Republikën e Shqipërisë”. Ndërkohë të njëjtat burime thonë se ka ndërhyrë mënjëherë ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj që të mos arrestohet, pasi vetëm sa i shtoni pikët politike duke e arrestuar. Por pala kryeministrisë insiston se Kokëdhima duhet ndëshkuar penalisht, ndonëse politikisht i hoqën mandatin e deputetit, bashkërisht PS-PD.
Nuk dihet sa do ta ndërlikojë situatën politike arrestimi i ish-deputetit Koço Kokëdhima me këtë akuzë, por akoma nuk dihet se sa i fortë do të jetë ministri Fatmir Xhafaj përballë dëshirës kryeministrore për arrest dhe vrapimit të prokurorisë për të firmosur fletë arrestin.
Burime pranë shtabit luftarako-politik të Koço Kokëdhimës thonë se lideri Kokëdhima është gati për çdo akt të kryeministrit Rama dhe se shumë shpejt ai, pra Koço, do jetë në krye të një “ushtrie” popullore për të rrëzuar këtë “kriminale” siç thotë Kokëdhima.