Franca ka ashpërsuar rregullat për emigracionin, ndërsa qeveria ka paraqitur një pr/ligj për miratim në Kuvend, i cili kundërshtohet nga organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Përmes këtij drafti, synohet dëbimi i azilkërkuesve të cilët nuk përmbushin kriteret për të përfituar statusin e azilantit.
Ligji parashikon kushte më të mira për ata që lejohen të qëndrojnë të Francë, të tilla si mësimi i gjuhës dhe trajnimi për punë. Ministri i Brendshëm Gerard Collomb tha se plani është i balancuar dhe përputhet me procedurat europiane.
Pr/ligji parashikon që autoritetet të mbajnë emigrantët ilegalë në kampet e mbyllura deri në 90 ditë, nga 45 që është sot.
Gjithashtu drafti parashikon gjobë deri në 3750 euro për shtetasit të cilët kalojnë ilegalisht kufijtë e zonës së lirë të udhëtimit në BE.
Disa organizata që ndihmojnë migrantët, duke përfshirë edhe Lidhjen Franceze për të Drejtat e Njeriut, kanë bërë thirrje për protesta në rrugët e Paris për të denoncuar “politikat qeveritare që cenojnë liritë e emigrantëve”.
Gjatë dy viteve të fundit Franca është përballur me një shtim të fluksit të azilkërkuesve, të cilët shpesh e përdorin këtë vend për të hyrë në Britaninë e Madhe. Shqipëria ka pasur një numër të lartë azilkërkuesish madje duke ia kaluar edhe vendeve si Sudani apo Afganistani.