Në përpjekje për të hedhur poshtë akuzat si autorë të atentatit me eksploziv të 13 janarit në Shkodër, Endrit Çopja dhe Argel Lulaj bënë një deklaratë të pazakontë në sallën e gjyqit.
Ata thanë se kishin qenë disa herë në Shkodër për të kryer vepra të tjera kriminale, për të cilat në fakt s’ka akuzë ndaj tyre, por jo për atentatin ndaj Lulzim Kullës.
“Kemi qenë disa herë në Shkodër për të blerë kanabis, por jo për të vendosur eksploziv”, kanë thënë dy të arrestuarit, në seancën me dyer të mbyllura që u zhvillua paradite për rivlerësimin e masës së sigurisë, që përfundoi me lënien e tyre në burg pa afat.
Kjo deklaratë u konfirmua si nga përfaqësues të akuzës ashtu edhe nga pala mbrojtëse.
Të arrestuarit mësohet të kenë thënë se nuk i mbanin mend datat kur kanë qenë në Shkoder, ndërsa nuk i bënë publik emrat e personave tek të cilët do të blinin drogën.
Prokuroria dyshon se ky pretendim është vetëm një alibi e të arrestuarve, për të ngritur një version paralel mbi aryset e udhëtimi të tyre në Shkodër.
Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse organi i akuzës do ta hetojë edhe këtë version, në mënyrë që të bjerë në gjurmët e organizatorëve të trafikut të pretenduar.
Avokati Genc Gjokutaj, tha jashtë kamerave se organi i akuzës nuk kishte prova që të faktonin pjesëmarrjen e tyre në atentatin ndaj Lulzim Kullës, që la 8 të plagosur.
Ndërsa prokurori Albert Muçaj tha se kishte përgjime të të arrestuarve, të cilat nuk i paraqiti me argumentin se mund të cënonin hetimin. Ai është shprehur gjithashtu se Çopja dhe Lulaj u identifikuan nga pamjet filmike të disa kamerave të sigurisë së zonës ku ndodhi krimi.
Prokuroria pretendon se motorçikleta ku ishte vendosur lënda eksplozive është transportuar me furgon të bardhë nga Elbasani në Shkodër, përpara atentatit.
Çopja, Lulaj dhe Serxho Teta, i akuzuar për moskallëzim krimi, u arrestuan nga policia të enjten e javës së kaluar në Elbasan. Prokuroria dyshon se shkak i atentatit janë pazaret e prishura të drogës.