Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj nuk ka për të shtuar ose komentuar as edhe një fjalë për ofendimin që ia bëri lideri shqiptar, Edi Rama, kur nuk i kurseu t’i krahasojë udhëheqësit kosovarë me lopët. Nga Qeveria vetëm thonë se nuk i komentojnë deklaratat e të tjerëve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili njihet për fjalorin agresiv ndaj kujtdo, kësaj radhe, nuk i ka lënë anash as politikanët kosovarë.
Kur foli për Gjykatën Speciale dhe gjithë skenarin që u zhvillua së fundmi, Rama, zgjodhi lopën, përmes së cilës ta shpreh atë që sipas tij kanë dashur ta bëjnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj.
“Krijimi i një problemi të tillë është sikurse lopa kur e mbush kovën e vet, pastaj ia fut shkelm dhe nuk dihet më se çka vjen mbrapa”, ka thënë Rama për tentativën e tre liderëve kosovarë për ta shfuqizuar Speciale në “Talk Show” të Vizion Plus.
Por, Halil Matoshi, këshilltar politik i Ramush Haradinajt, shkurtimisht tha për Gazetën Express se Qeveria nuk i komenton deklaratat mediatike të kryeministrit shqiptar.
“Qeveria e Kosovës nuk i komenton deklaratat mediatike të Kryeministrit shqiptar Edi Rama”, ka theksuar ai.
Sidoqoftë, shfuqizimin e Speciales, Rama e ka quajtur gabim, i cili do të sillte pasoja fatale për Kosovën, dhe se një përpjekje e tillë është tradhti ndaj aleatëve që e kanë ndihmuar Kosovën në krijimin e shtetësisë.
Rama ka thënë se Kosova nuk duhet të krijojë probleme tjera që e paralizojnë si shtet, por të fokusohet ta zgjidhë problemin me Serbinë, përmes dialogut.
Megjithëkëtë, fillimisht kur i pari u tërhoq nga kjo nismë ishte Kadri Veseli, rrugës së të cilit iu bashkuan edhe Ramush Haradinaj, dhe dje edhe Presidenti Thaçi.
“Gjykata nuk mund dhe nuk do të zhbëhet”, tha Thaçi, dje para gazetarëve