Loading...

Dita e Shën Valentinit! Cmimet marramendëse të luleve, kush janë ‘bosat’ që po blejnë buqeta nga 1000 dollarë

Gëzuar Shën Valentinin si fillim!

E mos harroni trëndafilat sot, të cilët janë më të shiturat edhe më të shtrenjtat, simbol i festës së 14 shkurtit.

Ditë e shënuar jo vetëm për të dashuruarit, por edhe për dyqanet e luleve, të cilët ditët e festave tashmë përkthehen në fluks pune.

Joni, tregtar prej vitesh i luleve, ka një dyqan të shitjes me pakicë të luleve në rrugën e Durrësit. Ai tregon për Monitor se në 3 vitet e fundit fluksi i punës është rritur ndjeshëm dhe kjo sepse tek shqiptarët (jo vetëm Tirana) po rritet tradita e dhurimit të luleve.

Trëndafili është lulja më e shitur, njëkohësisht edhe më e shtrenjta, shton ai. Fat për dyqanet e luleve këtë herë është se festa qëlloi në mes të javës. Në rast se do të qëllonte në fundjavë tendenca e njerëzve është për të lëvizur jashtë qytetit.

Për sa i përket çmimeve; ato variojnë në varësi të buxhetit të porositësit. Ato luhaten nga 5 mijë lekë, deri në 100 mijë lekë (afro 1000 USD) dhe janë kryesisht burrat që blejnë për bashkëshortet e tyre. Buqetat gjigande, ku numri trëndafila kapërcen tre shifrat, janë bërë trendi i kohëve të fundit. Çmimi mesatar i një trëndafili është 200 lekë dhe një buqetë me të paktën 100 trëndafila, kushton mesatarisht deri në 20 mijë lekë. Por, sipas Jonit, nuk mungojnë as porositë me numër të lartë të trëndafilave. Një prej klientëve të dyqanit ka porositur një buqetë me plot 500 trëndafila, të cilat përpos të tjerave janë edhe të vështira për t’u transportuar deri në destinacion,- tregon Joni për Monitor.

Lulëzimi i biznesit të luleve

Biznesi i tregtimit të luleve dhe kultivimit të bimëve ka shënuar një rritje të fortë në tre vitet e fundit, duke reflektuar një tendencë të shqiptarëve drejt natyrales, dhurimit të luleve në raste gëzimesh e fatkeqësish, tendencës së bizneseve për tu kujdesur për ambientin përreth dhe projekteve të punëve publike për zbukurimin e qyteteve.

Sipas të dhënave të Doganës, importet e Pemëve dhe bimëve, rrënjëve, luleve dhe gjetheve zbukuruese, u rritën me 27 për qind krahasuar me një vit më parë. Që prej vitit 2013, importet e këtij grupi janë rritur me ritme dy shifrore (shiko grafikun).

Gjatë 2017-s importet e luleve tejkaluan vlerën e 1 miliardë lekëve. Ndërkohë që muajt të cilat importet janë më të larta në vlerë janë pikërisht ato të festave, dhe më të ulëta gjatë muajve të verës kur prodhimi vendas është edhe më i lartë. Vetëm gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit që lamë pas u importuan mbi 300 milionë lekë lule. Meshkujt shqiptarë duket se janë bërë më romantikë vitet e fundit, teksa edhe në shkurt 2017 importet u rritën me 45%.

Aktorët e tregut thonë se fluksi i punës është shtuar, por njerëzit kërkojnë buqeta lulesh më ekonomike dhe kërkojnë që të shpenzojnë më pak.

Italia mbetet importuesi kryesor i luleve në vend. Importet nga ky shtet gjatë 2017-s kanë një vlerë prej 507 milionë lekësh. Ndërsa Holanda renditet e dyta me 256 milionë lekë, thuajse gjysmën e vlerës së importeve nga Italia.

Greqia është vendi i tretë për sa i përket peshës së importeve. Lulet e importuara prej Greqisë gjatë vitit që lamë pas kapin vlerën e 121 milionë lekëve.

Gjithsesi prodhimi vendas mbetet modest

Valbona prej pesë vitesh kultivon 4 dynym tokë me trëndafila në një fshat të Durrësit. E megjithatë duhet të presë prillin që të dalë në treg. Duke parë trendin dhe mungesën e prodhimit vendas të luleve, kur u kthye nga emigrimi në Itali, vendosi që në tokën që kishte në pronësi të mos mbillte kulturat e zakonshme bujqësore, por trëndafila. Valbona tregon për Monitor se më së shumti ka punë me Tiranën. Gjatë sezonit të lules ajo është furnizuese e shumë dyqaneve të kryeqytetit.

Për të prodhuar gjatë gjithë vitin kërkohen investime të mëdha në teknologji dhe në sera bashkëkohore, të cilat nuk mund t’i mbulojë financiarisht. Kjo edhe për shkak të sipërfaqes së vogël që ka në pronësi, ndërsa bashkëfshatarët nuk janë të interesuar për këtë lloj kulture, në mënyrë që të përfitohet nga ekonomitë e shkallës. Shembull është Holanda, ku edhe pse klima nuk është aspak e favorshme për kultivimin e trëndafilave, aktualisht vendi është një ndër distributorët më të mëdhenj në botë, së bashku me Afrikën dhe Ekuadorin.

Specialistët e fushës së kultivimit tregojnë se dimri është koha kur lulet importohen pothuajse tërësisht, pasi në vend kultivimi i tyre bëhet në mënyrë artizanale dhe kjo pengon rritjen e tyre në të gjitha stinët. Me kalimin e viteve, kompanitë e mëdha i kanë sofistikuar metodat e rritjes.

Në verë, çmimi i luleve bie ndjeshëm për shkak edhe të rritjes së prodhimit.

Joni, tregtar lulesh, tregon se kryesisht lulet i merr nga jashtë, edhe pse më shtrenjtë.

“Tentova të marr trëndafila të prodhuar në vend, por për shkak të teknologjisë, lulet e prodhuara në vend nuk janë të standardizuara. Duhet shtuar se prodhimi vendas është sezonal- tregon Joni .

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com