Lajm i keq vjen në këtë ditë të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, duket se ka lobuar fuqishëm dhe ka ditur se si të bëjë një dhuratë të hidhur në këtë ditë të shënuar për Kosovën.
Prej pak ditësh Daçiç ndodhet në Republikën e Burundit, ku është takuar dhe ka biseduar me homologët e tij. Ai ka arritur të lobojë deri në atë pikë, sa Republika e Burundit ka hequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Të paktën këtë raporton gazeta e madhe serbe “Blic”.
Republika e Burundit ishte shteti i OKB-së që e njohu Republikën Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran më 29 tetor 2012.
Nota verbale e njohjes i ishte dorëzuar zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behxhet Pacolli nga ministri i Punëve të Jashtme të Burundit, Laurent Kavakure, në kryeqytetin këtij shteti, Bujumbura.