Loading...

Deklarata e Ramës në Kosovës. Reagojnë Krasniqi dhe Berisha: Matrapaz…

Dy profesorët e Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi dhe Ibrahim Berisha kanë dalë kundër idesë së Edi Ramës për një President të përbashkët për Kosovën dhe Shqipërinë.
Krasniqi e ka quajtur Kryeministrin e Shqipërisë aventurier, të pabesë dhe përçarës derisa Berisha ka thënë se udhëheqja e Kosovës nuk duhet të nënshtrohet para matrapazve qeveritarë nga Shqipëria.

“Edi Rama është aventurier. Është përçarës. Është i pabesë. Të tilla i ka të gjitha iniciativat e deritashme në drejtim të Kosovës. Të tillë e pati propozimin edhe sot në Prishtinë. (Sapo BE-ja e ka veçuar nga Serbia rrugën e Kosovës drejt integrimit, ky tipi synon ta mjegullojë e të mbulojë atë rrugë me dilema të tjera.Synon të frikësojë BE-në, me gjoja “qëllimet e fshehta” të Kosovës!!!) Pra, iniciativat e tij kanë vetëm një qëllim: të dobësojnë shtetin tonë e të inkurajojnë armiqtë e tij. Qaq. Prandaj askush nuk duhet ta marrë seriozisht, asnjë propozim të Ramës. As këtë të fundit, sepse edhe ky është hileqar”, ka shkruar Krasniqi, në një reagim, pas propozimit të Ramës.

Edhe profesori i Sociologjisë, Ibrahim Berisha ka thënë se përpos matrapazëve qeveritarë nga Shqipëria kujdes duhet patur edhe nga dinakëve nacionalistë të Serbisë.

“Shoqëria, shteti i Kosovës, meriton qeveri dhe udhëheqje të dinjitetshme që nuk është inferiore dhe e nënshtruar ndaj matrapazve qeveritarë të Shqipërisë dhe dinakëve nacionalistë qeveritarë të Serbisë”, ka shkruar Berisha,

Edhe Partia më e madhe në Kosovë, LDK, ka dalë kundër një ideje të tillë. Madje, Avdullah Hoti e ka quajtur një mosrespket ndaj Kosovës një ide të tillë të ardhur nga udhëheqësi i Shqipërisë.

“Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe NATO”, ka shkruar Hoti, në një reagim në FB.

Ndërkohë, avokati Dastid Pallaska, Avokati Dastid Pallaksa ka reaguar ndaj idesë së Edi Ramës për një President kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë si ide e cila mund të realizohet në dhjetë vitet e ardhshme.

Por, Pallaska thotë se Kosova dhe Shqipëria në dekadën e ardhshme mund të krijojnë vetëm një institucion që mund t’i pensiononte patriotët e karrierës. Pastaj të njëjtit të përfundonin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyzë ose në Burrel.

“Të vetmin institucion të përbashkët që munden me e kriju Kosova dhe Shqipëria në 10 vitet e ardhshme është një “dhomë e lartë e dy parlamenteve” ku do të kishin mundësi me u pensionu të gjithë patriotat e karrierës nga të dy vendet. Për seli mundemi me bisedu. Është Dyzi por edhe Burreli nuk është vend i keq”, ka shkruar Pallaska.

Shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka propozuar një President gjithëkombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Këto dy propozime, Rama i ka bërë gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, për nder të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta po pse jo një president simbol të unitetit kombëtarë dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë Rama, në fjalimin e tij, shkruan Gazeta Express.

E ka pranuar se një ide e tillë nuk është e realizueshme tash po ka thënë se edhe dicka që ëndërrohet mund të realizohet.

“Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka shtuar ai.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com