Asambleja Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit ka nisur me befasi pasi i ka hequr të drejtën e votës klubit Bilisht Sporti.
Ky vendim është marrë për shkak se klubi në fjalë ka çuar me vonesë dokumentacionin.
Klubet propozuan emrat e tyre, që në shumë raste u ndërruan rrugës, derisa komisioni i mandateve dha aprovimin për përfaqësuesit e 65 anëtarëve në asamblenë e sotme.
Fillimisht ata do të votojnë për kreun e ri të institucionit të futbollit mes tre kandidatëve: Armand Duka, Bashkim Fino dhe Shpëtim Hala.
Në listën me tre emra mjafton të vendoset një shenjë në formë kryqi ose plusi, që vota të jetë e vlefshme. Pas përfundimit të procesit për zgjedhjen e presidentit, do të bëhet më pas edhe zgjedhja e nëntë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për të plotësuar numrin 11 të tyre, pasi këtu përfshihet presidenti i ri dhe kryetari i shoqatës së arbitrave, i cili e ka të sigurt vendin. Bëhet fjalë për Tahir Kastratin, që do të përfaqësojë sërish arbitrat në Komitet.
Por si është rregullorja e votimit dhe si fiton presidenti i ri? Gjatë raundit të parë ka nevojë për 2/3-ën e votave të vlefshme. Në rastet kur asnjë nga kandidatët nuk arrin këtë shumicë, bëhet një raund i dytë zgjedhjesh midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Në raundin e dytë, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet president.