27 vjet pluralizëm dhe demokraci në zhvillim, por shumë pakherë kemi parë ndëshkime të politikanëve. Por tashmë duket se koha e artë për ndëshkim po mbërrin në Shqipëri, ndonëse ka një rrezik; mundet të kthehen në revanshe politike, duke na kujtuar kohën e arrestimit të ish-kryeministrit Fatos Nano në korrik 1993. Pushteti i asaj kohe, drejtuar nga demokratët, me mbështetjen e ambasadorit amerikan Rajerson, i cili dilte dhe bërtiste përditë krah Berishës se “arrestoni liderin e opozitës”, duke krijuar një kaos të vertetë politik në Shqipëri.
Burime shumë të besuara pranë Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme thanë për “Koha Jone” se ndëshkimi i krimit të organizuar do jetë prioritet këtë 6-mujor të këtij viti, por pa harruar edhe luftën ndaj korrupsionit. Megjithatë prioritet maksimal këto muaj do jetë arrestimi dhe nxjerrja para drejtësisë i grupeve kriminale të rrezikshme. Në disa raste ka përgjime dhe fakte se një pjesë politikanësh janë përgjuar në biseda telefonike apo në takime me këto elementë kriminalë, çka do të çojë në hetime të këtyre emrave VIP nga politika. Ndaj priten surpriza, thonë të njëjtat burime. Nuk specifikuan emra konkretë, për arësye hetimi, por me një garanci gati absolute pohuan se do ketë supriza nga lidhje e botës së krimit me politikën. Në qershor këto dosje të stërmbushura do t’ia kalojnë BKH dhe SPAK-ut.
Akuza e opozitës ndaj kryeministrit Rama se po mbyll dosjen e ish-ministrit Tahiri si dhe po bën çdo tentativë për të shpëtuar disa ish-ministra apo ministra nga hetimi e arrestimi, e komplikon shumë besueshmërinë e këtyre arrestimeve.
Në qershor mendohet se do jetë ngritur edhe SPAK-u dhe BKH, organe të cilat do kenë shumë punë gjatë sezonit veror. Nga qershori deri në dhjetor të këtij viti mendohet nga burimet në fjalë se do jetë mbyllur “plani i arrestimeve” për këto pesë vite!
Ambasadori amerikan Donald Lu, si dikur në vitin 1993 ish-ambasadori Rajerson, po kërkon ndëshkim të politikës dhe bën shumë mirë. Por duhet që prokuroria të jetë e barazlarguar nga politika dhe të mos krijohet precedenti i rrezikshëm i vitit 1993.
Prangat duhet të kërcasin si në pozitë ashtu dhe në opozitë , kushdo që ka kryer krime apo korrupsion, por jo të telekomanduara nga kryeministri Rama. Duhet që vetë kryeministri të frikësohet kur kalojnë sirenat e policisë në Bulevard, atëhere kemi reform në drejtësi.