Në emisionin “Zona Gol” në Supersport, presidenti i sapo-konfirmuar Armand Duka, tregoi se si ndjehej tashmë që kishte marrë mandatin e 5-të për të drejtuar Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Rikonfirmimin tim nuk e shikoj si numër mandatesh, por si një besim i komunitetit të futbollit, për të çuar punën e nisur deri në fund. Ky mandat është një përgjegjësi dhe një shtysë për të vijuar me zhvillimin e projekteve të reja, por edhe atyre të nisura tashmë”, u shpreh Duka.
Pasi kuqezinjtë u kualifikuan në një Kampionat Europian, tashmë ëndrra e shqiptarëve është pjesëmarrja në një Botëror.
“Është dëshirë dhe mundësi reale e Shqipërisë. Me çfarë kemi dhënë deri më sot, i kemi të gjitha mundësitë për ta synuar Botërorin. Edhe skuadrat e mëdha e kanë të vështirë që të thonë se do të jenë me garanci. Ama objektivi për të ardhmen është që ta synojmë. Duhen bërë edhe shumë gjëra të tjera mirë për të shkuar deri atje. Duke pasur parasysh edhe të gjitha kritikat që kanë dalë gjatë këtij muaji nga njerëzit e sportit, pa pasur parasysh ato të njerëzve të politikës, mund të bëjmë më mirë”, deklaroi Duka.