Janë të lehta si një pupël, të shijshme ndërsa të përfshijnë tërësisht me ëmbëlsinë e tyre.
Duhen vetëm 10 minuta në përgatitje dhe 25 minuta në pjekje dhe në fund rezultati do t’ju mrekullojë me shijen e tij.
Sekreti i shijes së këtyre amaretave qëndron tek arra e kokosit e grirë, e cila është edhe përbërësi kryesor i këtyre ëmbëlsirave.
Nëse zakonisht ëmbëlsirat, biskotat apo amaretat përgatiten me miell gruri apo edhe misri, rolin e miellit tek përgatitja e këtyre amaretave e luan arra e kokosit e grirë.
Një tjetër përbërës fantastik që i bën këto amareta edhe më të veçanta është qumështi i kondensuar, i cili e bën brumin të shkrifët dhe të butë njëkohësisht.
Ndiqni më poshtë recetën fantastike dhe përgatiteni krejt lehtë në shtëpi për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit tuaj.
Përgatitja e Amaretave të Shkrifëta në Shtëpi
Përbërësit
400 gr arrë kokosi e grirë (e gjeni në supermarkete)
400 gr qumësht i kondensuar i ëmbël (e gjeni në supermarkete)
1 një lugë çaji pluhur vanilje
2 të bardha vezësh të mbajtura në temperaturë ambjenti
Më pak se gjysma e një luge kafeje me kripë
Përgatitja
Parangrohni furrën e sobës në temperaturë maksimale.
Në një tas të madh përzieni arrën e kokosit të grirë, qumështin e kondensuar të ëmbëlsuar dhe vaniljen.
Përziejeni mirë të gjithë masën derisa të bëhet e njëtrajtshme.
Në një tas tjetër, shtoni të bardhat e vezëve si dhe kripën dhe rrihini fortë.
Bashkojini me masën e arrave të kokosit dhe qumështit të kondensuar.
Përzjeini të gjitha bashkë. Shtroni letër pjekjeje në tavë dhe vendosni nga një lugë gjelle me brumin e përftuar.
Vendosini amaretat rreth 2 centimetra larg njera tjetrës sepse gjatë pjekjes amaretat do të fryhen dhe zmadhohen disi.
Piqini përreth 25 minuta derisa ngjyra e tyre të bëhet e artë në të kaftë. Lërini të ftohen dhe më pas shërbejini. Mund t’i shoqëroni me një filxhan kafeje por edhe çaji gjithashtu.