24 vjeçari, pronari makinës që përplasi taksinë dhe që si pasojë shkaktoi dy viktima, një 23 vjeçare dhe një drejtuesin e taksisë, ka përgënjeshtruar akuzat që bien mbi të se është i përfshirë në ngjarjen e rëndë.
Dardan Gjeka, 24-vjeçari nga Shkodra pretendon se nuk është në kërkim nga policia për aksidentin e rëndë autostradën Tiranë-Durrës, pranë Maminasit. Ai pranon se automjeti tip “Benz ML” që ka shkaktuar aksidentin ka qenë në pronësi të tij, por atë e ka shitur te Fatjon Zhaborja, i cili është në kërkim. I pyetur për udhëtimet jashtë vendit të cilat përkojnë me ato të viktimës, Gjeka tha se ka udhëtuar përmes Hanit të Hotit, ndërsa mohon të ketë njohje me Elena Avdillari.
“Nuk jam në kërkim. Kam shkuar në tetë të mëngjesit në policinë e Durrësit dhe kam dhënë shpjegimet, kam çuar aktin e shitjes së makinës. Automjetin e nxora në internet në shitje dhe më mori në telefon burri i huaj para një muaji e gjysmë. Ia kam shitur, kam bërë aktin e shitjes dhe ai iku në punë të vet. Nuk kam njohje me viktimën dhe as me personin që ka shkaktuar aksidentin”, ka thënë ai pas një telefonate në redaksinë e Report Tv.
Elena Avdillari dhe 24-vjeçari Gjeka kanë pasur njohje me njëri-tjetrin. Sipas sistemit TIMS, ata kanë hyrë dhe dalë vazhdimisht nga Shqipëria në drejtim të Italisë në të njëjtat data. Kjo shton dyshimet se Elena Avdillari është shoqëruar nga Dardan Gjeka në këto hyrje-dalje të konstatuara nga TIMS-i, përmes Portit të Durrësit dhe pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit.
Elena Avdillari ishte nisur nga Tirana ku jetonte për në Durrës, ku do të nisej me traget për Itali. Ajo u kthye nga policia ufitare pas njoftimeve të marra nga autoritetet italiane se e reja shkonte shpesh në shtetin fqinj dhe punonte në mënyrë të jashtëligjshme. Rrugës së kthimit ajo dyshohet të jetë përplasur qëllimisht nga automjeti ku pasagjer ishte edhe 24-vjeçari me të cilin ajo kishte njohje.