Zbulohen të tjera hollësi nga krimi makabër në Zvicër. Si i vrau me thikë Ruzhdi Buzhala nga Kosova Almën, gruan e tij nga Lezha, dhe Ildën, motrën e saj që erdhi nga Franca. Policia nuk e mori në mbrojtje gruan e vrasësit që kishte qenë i martuar edhe më parë në Kosovë.
Vrasja e dy motrave nga Ishulli i Lezhës, Alma dhe Ilda ka tronditur mbarë opinionin publik jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Francë dhe Zvicër, konkretisht në vendbanimet e dy grave viktima. Tashmë janë fqinjët e Almës, gruas së agresorit që kanë hedhur dritë mbi jetën në çift mes gruas 38 vjeçare Almës dhe Ruzhdi Buzhalës. Ata kanë treguar se bëhet fjalë për një dhunë sistematike të burrit nga Kosova mbi Almën, që e kishte grua të dytë.
Por përveç saj ai ushtronte herë pas here dhunë edhe mbi dy fëmijët e mitur, njëri 16 dhe tjetri 14 vjeç! Ndërsa vajza tjetër e çiftit mësohet se është ende në moshë të vogël. Ka qenë pikërisht kjo marrëdhënie e tensionuar mes çiftit që ka detyruar Ildën, motrën e tretë ndër 6 të tilla të Almës, të udhëtojë nga Franca.
Alma prej kohësh mbahej e mbyllur brenda dhe se nuk lihej të dilte jashtë nga bashkëshorti i saj Ruzhdiu, i cili ishte në moshë 14 vite më i madh se ajo. Prej kohësh ajo nuk mund të shkonte as në shkollë për të mësuar gjuhën ndërkohë që bëhet me dije se Alma edhe e kishte denoncuar dhunën ndaj saj po meqë autoritetet vendase nuk e kishin njohur në asnjë lloj angazhimi mësohet se nuk kanë ndërhyrë për të kryer arrestimin e vrasësit, pasi merrej për bazë dëshmia e tij meqë ai dinte të fliste dhe gruaja jo.
Detajet e reja
Dje mediat vendase kanë bërë me dije se të tjera detaje kanë dalë në dritë nga krimi i dyfishtë që ndodhi në Zvicër, ku shqiptari vrau gruan e tij dhe motrën e saj. Ngjarja e rëndë ndodhi në Hausen të Kantonit Aargau. Shtetasi nga Kosova, 54-vjeçari Ruzhdi Buzhala akuzohet se vrau gruan e tij Alma B, 38 vjeçe dhe motrën e saj Ildën, 31 vjeçe. Kjo e fundit kishte ardhur nga Franca, ku jetonte prej vitesh për të kaluar festat e fundvitit tek e motra, por aty gjeti vdekjen e dhunshme. Mediat bëjnë me dije se familjarët e viktimave, që janë nga Lezha, pasi janë njohur me lajmin e kobshëm kanë udhëtuar nga Franca për në Zvicër. Kreshniku, bashkëshorti i motrës së tretë të viktimave, i cili jeton edhe ai në Francë ka ngritur akuza ndaj baxhanakut të tij, i cili ndodhet tashmë pas hekurave. Nga rrëfimet e Kreshnikut mësohet se çifti jetonte bashkë prej 18 vitesh, ndërsa kishin tre fëmijë, dy vajza: 16 dhe 7 vjeçe si dhe një djalë, 14-vjeçar. Mes të tjerash Kreshniku pohoi se kosovari e dhunonte prej vitesh gruan e tij, aq shumë sa e kishte bërë disa herë për spital. Po ashtu, ai tregon se e kishte mbajtur të mbyllur, duke mos e lejuar të socializohej në Zvicër dhe të mësonte gjermanishten. Ndonëse gruaja kishte tentuar që ta denonconte bashkëshortin disa herë, nuk kishte pasur asnjëherë guximin. Së fundi ajo e kishte bërë këtë para një viti dhe sërish para 5 muajsh. Por, policia, sipas Kreshnikut, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim. Një banor i zonës ku jetonte çifti, i ka thënë policisë se e njeh autorin dhe se e priste që mund të ndodhte diçka e tillë. Sipas tij autori i dyshuar për vrasjet ka qenë pensionist invaliditeti dhe me gjendje jo të mirë financiare e sociale. Ai ka qenë edhe më herët i martuar me grua nga Kosova, ndërsa Alma ishte gruaja e dytë e tij.
Dëshmia
Televizioni ‘Tele M1’ i ka biseduar me fqinj të familjes, të cilët kanë pohuar se disa herë nga banesa e tyre është dëgjuar zhurmë dhe grindje. Ndërkaq, sipas tyre, këto zhurma janë shpeshtuar dhe intensifikuar javëve të fundit, që i bie, nga koha kur motra e re e zonjës së shtëpisë kishte ardhur mysafire. Madje një ekspert i kriminalistikës (komisar policor i pensionuar) thotë se ardhja e saj mund ta ketë acaruar situatën aq sa kosovari të ndihej i provokuar. Ai pastaj shton se fakti se vrasja është bërë në kuzhinë dhe me një thikë. Po ashtu mësohet se tre fëmijët e mbetur pa nënë dhe me babanë e burgosur, janë vendosur në një strehimore fëmijësh në Brugg ku ndodhen nën përkujdesjen e autoriteteve vendase ndërsa nuk dihet ende se çfarë ka thënë autori.