Loading...

Zbulohen detaje nga Vettingu në polici, si do të pastrohen uniformat blu nga krimet

Ministria e Brendshme ka përgatitur një projektligj për Vettingun në polici, që ndonëse është shpërndarë për mendim te grupet e interesit, po mbahet tepër konfidencial.

Top Channel ka mundur të sigurojë një kopje të projektligjit dhe relacionit shoqërues, nga i cili del qartë se policia pranon problemet e rënda që ka në radhët e saj, çka bie ndesh me pretendimet e deritanishme për punën e mirë të policisë në luftën ndaj krimit, të personifikuar nga shprehja “bravo çuna”.

Në projektligjin për Vettingun në Policinë e Shtetit dhe në gardë, policia pranon se ka probleme me korrupsionin, krimin dhe formimin e pamjaftueshëm profesional, që sjellin siguri të brishtë. Duke kopjuar afërisht ligjin për Vettingun në gjyqësor, edhe projektligji në Policinë e Shtetit mbështetet në tre komponentë, pastërtia e figurës, pasuria dhe vlerësimi profesional. “Është e vërtetë”, thuhet në relacionin shoqërues se ka mjaft policë të thjeshtë që janë proceduar për shkelje, por fare pak prej tyre janë zyrtarë të lartë të policisë që kanë patur të njëjtin fat.

Komisioni i Jashtëm i vlerësimit, Komisioni Qendror i Vlerësimit, Komisioni Vendor dhe i Posaçëm do të jenë organet e reja, që sipas projektligjit të Vettingut në polici, do të kalojnë në sitë 11 mijë efektivë të Policisë së Shtetit.

Aty përfshihen që nga zinxhiri komandues deri tek inspektoret së bashku me 1 mijë efektivë të Gardës së Republikës si edhe rreth 100 punonjësit e ashtuquajtur Policia e Policisë, pra Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Përveç tyre, Vettingut mund t’i nënshtrohen me dëshirë edhe ish-punonjësit e policisë nën moshën 55 vjeç, përfshirë edhe të shkarkuarit nga detyra, por që gjykata u ka dhënë të drejtë, duke shfuqizuar urdhrin e shkarkimit.

287 zyrtarët më të lartë të policisë që nga drejtori i përgjithshëm deri tek shefat e komisariateve do t’i kontrollojë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, që do të përbëhet nga 15 anëtarët , të zgjedhur nga Inspektorati i Kontrollit të Pasurive, nga bota akademike dhe avokatia.

2700 punonjës të policisë me grada të mesme dhe 115 nga garda përfshi edhe repartet speciale RENEA, FNSH dhe Forcat e Posaçme operacionale do të kontrollohen nga komisioni qendror.

Ndërkohë siç parashikohet, të gjithë efektivët e thjeshtë do të kontrollohen nga 135 anëtarë të komisioneve vendore, shumica e të cilëve do të jetë policë që do ta kalojnë të parët Vettingun nga Komisioni Qendror i Vlerësimit.

Kontrollet të cilave do t’u nënshtrohen të gjithë, janë kontrolli i pasurisë, i pastërtisë së figurës dhe vlerësimi profesional. Kontrolli i pasurisë fillon me një vetëdeklarim të efektivit dhe të familjarëve të tij.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com