Loading...

Ylli Rakipi në Top Channel mposht me audiencë Blendi Fevziun në TV Klan

E enjta është një garë e fortë televizive në Shqipëri. Dy gjigandët televizivë Top Channel dhe TV Klan janë në konkurencë edhe për audiencën televizive çdo të enjte. Në Klan si përherë e kaherë Blendi Fevziu, kurse në Top Channel vjen Ylli Rakipi me emisionin e tij “Te Paekspozuarit”.

Fevziu kishte temën e protestës së opozitës ditën e shtunë, ndërsa Rakipi një temë investigative ku fliste për korrupsion të qeverisë Berisha dhe qeverisë Rama në raport me ARMO.

Kush qëndron pas privatizimit të ARMO-s? Si mundet që një kompani kur është shtetërore del me fitim dhe dhjetë vjet pas privatizimit fundoset në qindra milionë Euro borxhe? Kush janë aktorët e njohur dhe të panjohur të kësaj afere?

“ARMO, një krim i përbashkët” ishte tema e emisionit “Të Paekspozuarit” nga Ylli Rakipi në Top Channel. “Të Paekspozuarit” tregoi historikun e ndërmarrjes të cilësuar strategjike nga politika, por që asnjëherë nuk u trajtua si e tillë, duke nisur që nga privatizimi i bërë nga Rezart Taçi e deri tek Besnik Sulaj.

Sipas të dhënave të publikuara në dokumentet zyrtare, nga momenti i privatizimit në vitin 2008, deri në janar të vitit 2016, ARMO ka akumuluar 595 milionë dollarë detyrime ndaj shtetit, bankave dhe kompanive furnizuese.

E që nga janari i 2016 deri më tani, ky borxh nuk është ulur, por përkundrazi. Sot, borxhi i ARMO-s përllogaritet mbi 700 milionë euro. “Të dyja palët politike, si Sali Berisha, ashtu edhe Edi Rama kanë shkelur ligjin në të njëjtën mënyrë, kanë vrapuar ta grabisin atë”, deklaroi në studion e “Të Paekspozuarit” analisti Andi Bushati.

Kryeredaktorja e revistës “Monitor”, Ornela Liperi thotë se një vit para privatizimit, ARMO rezulton me një fitim 16 mln euro dhe detyrime minimale ndaj furnitorëve të saj. Pyetja që ngrihet është se përse duhej privatizuar një kompani që dilte me fitime?

“Ndërmarrja kishte nevojë për investime, sepse ishte ndërtuar që në vitet ’70, por këto investime nuk u kryen”, thotë Liperi. Përparim Hajno, ish-drejtor i ARMO-s para se kompania të privatizohej tregon të ardhurat e saj në vitet që e ka drejtuar atë.

“30 mln dollarë ishin paratë që derdhnim në buxhetin e shtetit vetëm me akcizën, 3 milionë dollarë fitim në vit kishim. Ishin 1875 vetë të punësuar me një rrogë mesatare për periudhën deri në 400 mijë lekë të vjetra. Deri në 2005, u përgatit për privatizim. Në 2008 ka dalë me humbje. Në 2006 dhe 2007 ka dalë me fitim”, thotë ai.

Aktivisti i “Organizatës Politike”, Arlind Qori thotë se privatizimi është shfrytëzuar si një dogmë për të grabitur këtë pasuri. Eksperti i ekonomisë, Panajot Soko deklaron se synimi i privatizimit nuk ishte investimi dhe rritja e kapaciteteve përpunuese të ARMO-s, por një tjetër.

“Ndërmarrja u privatizua si aset për të marrë kredi, e për t’u mos paguar kreditë dhe transferuar andej nga janë transferuar sot”, deklaroi ai.

Debati televiziv, shoqëruar në fillim me një dokumentar për historinë korruptive të ARMO-s, bëri që audienca televizive të fliste për Top Channel, pra për Ylli Rakipin.

Të paktën këtë të enjte. Por ka prapë te enjte të tjera!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com