Një i ri është vënë në pranga në Vlorë, pasi në makinën e tij i janë gjetur dy mina te lidhura me celularë. Sektori për Krimet e Rënda dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Vlorës kanë finalizuar operacionin ‘Packages’, në të cilin kanë arrestuar në flagrancë Roberto Hodaj, 26 vjeç, banues në Vlorë.
U krye arrestimi i këtij shtetasi pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat policore në mjetin tip ”Benz ML”, që përdorej prej tij i janë gjetur dy mina me celularë.
Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës e cila përdorej prej tij, në lagjen “Rilindja”, në dhomën e gjumit iu gjetën nga policia 7 kg lëndë narkotike kanabis sativa. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 minat me sahat, lënda narkotike, mjeti dhe aparate celular.
Prej Policisë dhe Prokurorisë Vlorë po vijon hetimi me metoda speciale dhe proaktive për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Vlorë për veprime të mëtejshme.