A e dini që në Shqipëri ka ende ullinj pa u vjelë dhe kthyer në vaj?
Maja e sezonit të vajit të ullirit ka përfunduar në muajt e Nëntorit dhe Dhjetorit. Por gjatë këtij Janari, ka ende pemë ulliri pa vjelë dhe ende prodhohet vaj i freskët.
A e dini cila është diferenca mes një prodhuesi vaji ulliri dhe një prodhuesi vaji ulliri ekstra të virgjër? Një punë ekstra.
Për të prodhuar vaj ekstra të virgjër një ullishtar i mirë e çon ullirin çdo natë në mulli.
Në këtë mënyrë prodhohet vaj më i mirë me ngjyrë tipike jeshile. Vaji i pasur me aromë e shije e me aciditet më të ulët.
Zoti Dhimitër Panajoti, specialist i vajit të ullirit pranë AAC Lushnja thotë për AgroWeb se nga çdo ditë qëndrimi në fermë, vaji në brendësi të frutit humbet 10-20% të cilësisë.
Si rrjedhim rritet aciditeti, pakësohen elementët cilësorë si polifenoli dhe pakësohet aroma, tregon zoti Panajoti.
Procesi i përpunimit ndikon në 60% të cilësisë së vajit. Kini kujdes! Vaji nuk përmirësohet nëse vjetërohet, por ka jetë më të gjatë nëse ruhet mirë.
Armiqtë kryesorë të vajit janë ajri, nxehtësia dhe drita. Qelqi i errët është më i mirë për ruajtje në shtëpi.
Çeliku inoks është më i miri për ruajtjen e sasive të mëdha.
Ju nevojitet ndihmë për të zgjedhur vajin më të përshtatshëm të ullirit?
Si të zgjidhni vajin e duhur të ullirit si edhe disa fakte interesante:
Cilat janë ndryshimet mes vajit të ullirit – Të ‘virgjër’, vajit të ‘lehtë’ dhe atij të zakonshëm?
Vaji i ullirit i virgjër
I shoqëruar edhe me parashtesën “Ekstra” përbën nivelin më të lartë të vajit të virgjër dhe më i miri që mund të tregëtohet.
Vaji i virgjër i prodhuar nga mekanizmi i shtypjes mund të quhet si ekstra nëse ka më pak se 1% acid oleik dhe sjell shije, ngjyrë dhe aromë të mirë. Pra praktikisht vaji ekstra i virgjër është vaji më i mirë.
Vaji i zakonshëm i ullirit
Kjo kategori ka të bëjë me produktin e përzier të vajit. Prodhuesit e vajit të ullirit fillojnë me vaj të virgjër të një kualiteti më të ulët.
Që këto vajra të përshtaten për konsum duhet të përpunohen duke përdorur proçese mekanike termale apo kimike. Vaji i përpunuar i ullirit vjen me një ngjyrë dhe shije më të zbehur.
Përpara se produkti rezultant të shitet si vaj ulliri, prodhuesi e përzien ekstraktin me vaj ulliri të përpunuar dhe me një përqindje të vogël vaji të virgjër për të siguruar aromën dhe shijen.
Vaji i “butë” dhe i “lehtë”
Vaji i ullirit i lehtë është një variacion i vajit të ullirit të zakonshëm. Prodhuesit e këtij produkti përdorin vaj ulliri shumë të përpunuar dhe përdorin më pak vaj të virgjër me kualitet.
Mbase ndryshimi do të vihej re në shije dhe në aromë por sasia e kalorive dhe yndyrës është e njëjtë me vajrat e tjerë.
Vaji i “tulit” të ullinjve
Vaji i bërë me tulin e ullinjve konsiston në mbetjet e vajit të ekstraktuara me përbërës kimikë dhe të marra nga ullinjtë e parë që kanë kaluar proçesin e shtypjes.
Edhe në këtë rast përdoren sasi të caktuara vaji të virgjër në mënyrë që të shtojnë nivelin e shitjeve.
Janë të gjithë llojet e vajrave të ullirit të njejtë?
Jo. Ashtu si edhe vera, vaji i ullirit ekstra i virgjër mund të variojë shumë në shije dhe varet nga lloji dhe cilësia e ullirit të përpunuar, periudha e të vjelave, moti gjatë sezonit të rritjes dhe rajoni ku prodhohen.