Loading...

Trondit gazetari shqiptar, ja lidhja që bën mes Zuckerbergut dhe biznesmenëve shqiptarë ‘të famshëm’

Gazetari Mero Baze, në një intervistë për gazetën Mapo, përmend emra biznesmenësh, që sipas tij nuk janë të famshëm se kanë një produkt në tregun shqiptar, por janë të famshëm se kanë gjithçka.

Ai e ka kritikuar qeverinë, sa i përket lidhjes me biznesin.

Pjesë nga intervista

A ka oligarkë në Shqipëri apo është veçse një perceptim populist mbi këtë term?
Fjala oligarkë ka hyrë në fjalorin politik nisur nga oligarkia, e cila është një formë qeverisjeje në kohët e vjetra, kur pushtetin e kishte në duart e veta një rreth i ngushtë njerëzish. Në këtë kuptim mund të them se Shqipëria është një oligarki, e prodhuar me ligj, pasi këtu shqiptarët votojnë vetëm për kryeministrin, të tjerat sillen rreth fituesit.

Kjo është përgjegjësi e klasës politike që ka humbur në Kushtetutën e vendit mekanizmin e check-balance dhe ka kufizuar të drejtën e popullit për t’u shprehur për pushtetet e tjera përveç kryeministrit. Por në Shqipëri në mënyrë qesharake ky term nuk i adresohet politikës, por biznesit. D.m.th. atë që duhet t’ia thonë politikës, ia thonë biznesit.

Dhe me këtë kanë fjalën se disa biznesmenë janë më të privilegjuar se të tjerët.

Kjo është e vërtetë, por nuk është problem i tyre. Pra, ne kemi një sistem politik oligarkik. E kemi bërë vetë me ligj dhe Marrëveshja Berisha-Rama e vitit 2008 i ka vënë vulën. Është një histori që duhet bërë zhbërë. Së paku ta zhbëjmë me ligj, pastaj në praktikë.

Besoni se përdorimi i shtuar së fundmi, i termit oligarkë, qoftë nga politika, por edhe mediat dhe rrjetet sociale, po kthehet në një farë trysnie ose sulmi të padrejtë ndaj biznesit?

Aji që perceptojnë njerëzit është se gjërat janë të grumbulluar në pak duar. Fjala vjen shikojnë që biznesmenë të mëdhenj, nuk janë të famshëm se kanë një produkt në tregun shqiptar, por janë të famshëm se kanë gjithçka.

Fjala vjen, Zamir Mane nuk është i famshëm se është tregtar i madh mallrash, por është më i madhi i supermarketeve, më i madhi i kromit, më i madhi i ndërtimeve, më i madhi i resorteve turistike, më i madhi i bujqësisë etj. Shefqet Kastrati është më i madhi i naftës, por shfaqet dhe më ambiciozi në ndërtime, në industrinë e makinave, sigurimeve etj.

Mund të marr dhe shembuj të tjerë. Nuk e kam në kuptimin negativ pse këta janë gjithandej, por duke qenë gjithandej, njerëzit krijojnë perceptimin se këta kanë gjithçka. Është pak dhe problem i këtyre biznesmenëve që duhet të strukturojnë të ardhmen e tyre në raport me kë fushë do dominojnë.

Në botë ka miliarderë dhjetëra herë më të mëdhenj se këta tanët, por ata kanë identitet. Pronari i Amazonës është sot më i pasuri në botë, por ama ka vetëm Amazonën. Është i famshëm për atë biznes, që është ide e tij.

I tillë është dhe Zukenbergu. Suksesi i biznesmenëve tanë nuk është prej identitetit të tyre në biznes, por prej shpërndarjes në çdo biznes, duke kapur shtetin. Kjo krijon këtë keqkuptimin me oligarkinë. Në fakt nuk ka lidhje me të. Është më shumë kapje shteti.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com