Loading...

Trodnit Mona: Ramën mund ta rrahin në Kuvend

Monika Kryemadhi, Kryetare e LSI-së, deklaroi nga Vlora se Edi Rama po tenton të kapë sistemin e drejtësisë dhe çdo institucion tjetër të shtetit për të shantazhuar dhe kërcënuar shqiptarët, në mënyrë që ti mbajë të nënshtruar.

Kryemadhi tha se e gjithë kjo do t’i kthehet Ramës në një revoltë. Në një takim me strukturat e LSI-së në Vlorë, në kuadër të përgatitjeve për protestën e 27 janarit, Kryemadhi tha se protestat nuk kanë për qëllim as të kërcënojnë as të rrahin Edi Ramën, por t’i tregojmë se shqiptarët janë kundër tij.

“Për të rrahur Ramën ka sa të duash në Kuvend, madje edhe nga rradhët e socialistëve të tij, të cilët janë thellësisht të pakënaqur me qeverisjen e tij”, tha Kryemadhi. Në vijim ajo shtoi se bandat dhe krimi i organizuar dhe ata që përfaqësojnë trafikantët e drogës blenë zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa Edi Rama është i lidhur me to.

Kryemadhi falenderoi strukturat e LSI-së që qëndruan heroikisht përballë strukturave kriminale, që kishin në shërbim edhe strukturat e shtetit. “I dhatë një goditje psikologjike Edi Ramës sepse hesapet e tij ishin krejt të tjera. Vlora nuk është një Lungomare, që është ktheyr në një Lungopare që i kushton 10 milionë euro kilometri. E ka kthyer në Lungopare për kënaqësitë e veta mendore”, tha Kryemadhi.

Në vijim kryetarja e LSI-së theksoi se sot jemi në një udhëkryq, ku kryeministri i Rilindjes, e ka vendosur Shqipërinë nëse do të jetë në drejtimin e BE apo me zgjidhje ekstremiste. “Rama po kërcënon qëndrueshmërinë jo vetëm politike, por edhe të politikës së jashtme. Rama i rrezikoi dhe i vendosi në një pikë shumë kritike marrëdhëniet me fqinjët. Situata me krimin na është kthyer në një sinfoni normale, shtetin e ka kthyer në një institucion në shërbim të krimit”, theksoi Kryemadhi.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com