Kryeprokurorja me mandat të përkohshëm Arta Marku ka zhvilluar takimin e parë me gazetarës pas marrjes së detyrës.
Përpara përfaqësuesve të medias Marku është shprehur se prioritet i saj do jetë zbatimi i ligjit, ndërsa ka paralajmëruar surpriza në organin e akuzës. “Prioriteti im është të zbatoj ligjin“, tha ajo. Sa i takon furtunës në Prokurorinë qendrore dhe të rretheve, Marku tha se ata e dinë arsyen e largimit, ndërsa sqaroi se nuk është personalisht ajo shkaku i tensionit të shkaktuar me të larguarit.
“Tensioni më të larguarit s’është krijuar prej meje por prej ligjit. Ata që janë larguar e dinë arsyen dhe po ashtu dhe ata që kanë ardhur në detyrat e reja e dinë arsyen“.
E pyetur nëse zgjidhet me mandat të plotë si Kryeprokurore, për 7 vite, Marku është përgjigjur se nuk do thoshte jo. “Nuk do thoja jo“, u përgjigj ajo shkurtimisht.
Arta Marku paralajmëron ndryshime dhe surpriza në Prokurori, pas lëvizjeve të fundit që “shkundën” nga themelet Prokurorinë. “Do të ketë shumë ndryshime dhe do shihni surpriza. Nuk do jenë vetëm ato lëvizje që janë bërë deri tani. Nëse do jem neutrale dhe e pavaruar politikisht këto do t’i tregojë puna ime dhe rezultatet”, sqaroi kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku.