Blendi Fevziu
Në një analizë të gjatë kushtuar gjeopolitikës në Ballkanin Perëndimor dhe raportit të shteteve të kësaj pjesë të Evropës me fuqitë e mëdha si SHBA apo Rusia, gazetari Blendi Fevziu sugjeron më shumë punë për shtetet shqiptare dhe një kujdes të shtuar, pasi jo gjithmonë të “mëdhenjtë” do të kujdesen për ne.
Blendi Fevziu shkon edhe më tutje, duke deklaruar se pas vrasjes së Ivanoviç në Kosovë dy ditë më parë, mund të fshihen pikërisht forcat e mëdha, e në këtë rast Rusia.
Gazetari e lidh ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë më parë edhe me reagimin e fortë që ka bërë këtë të enjte Rusia zyrtare, kundër kreut të qeverisë shqiptare. Deklaratat e Ramës për rolin e qeverisë së tij në njohjen e gjuhës shqipe në Maqedoni, duket sikur kanë acaruar Moskën duke sjellë dhe një reagim mjaft të ashpër. Fevziu e sheh reagimin e Rusisë si një përpjekje të kahershme të këtij shteti për të influencuar dhe destabilizuar situatën në rajon në favor të tyrin. Kjo sepse, sipas gazetarit, Rusia prej kohësh e ka humbur influencën në Ballkan dhe po kërkon me çdo kusht ta rifitojë.
Por nga ana tjetër, shkruan Fevziu, do të ishte një veprim i mençuar që Shqipëria, Kosova dhe të gjitha vendet ku ka shqiptarë, të kuptonin se nuk mund të qëndrojmë përjetësisht nën çadrën e SHBA-ve. Fevziu shkruan se tashmë ka ardhur koha që shqiptaria të mundohet për të bërë lëvizjet e saj dhe të kujdeset vetë për interesat e saj.
“Nëse nuk kujdesemi për veten, askush nuk do kujdeset më për ne. Dy dekada na ndihmuan të tjerët, tani mbetet të ndihmojmë veten!”- përfundon gazetari.
Për më tepër lexoni analizën e Plotë të Blendi Fevziut:
“Shqiptarët janë në momentin e tyre më të mirë historik”, deklaroi një politikan me rastin e hapjes së vitit të Skënderbeut. Nisur nga një shikim thjeshtë historik, deklarata e tij ishte korrekte. Por nuk mjafton vetëm kaq? Pyetja e parë që më erdhi ndër mend pas saj, është a janë shqiptarët në të njëjtën pozitë të favorshme gjeopolitike? A jemi sërish sot, në po atë situatë të artë që qemë në vitet 1990 – 2009? A mbaruan për ne dy dekada magjike, në të cilat rikuperuam shumë prej gjeravë që kishim bjerrur në thuajse 80 vite të tjera të ekzistencës sonë shtetërore? Dhe në ç’rrethana ndodhi kjo?
Nuk ka asnjë dyshim që më shumë se sa falë rolit tonë, kjo erdhi si pasojë e kombinimit të rrethanave ndërkombëtare.
Mbarimi i luftës së ftohtë; rënia e Bashkimit Sovjetik dhe ridimensionimi i vështirë dhe i ngadalshëm i Rusisë; çmenduria politike e Millosheviçit dhe rreshtimi i tij nacionalist, sollën një situatë të re.
Në vitin 1990, Shqipëria hoqi dorë nga marrëzia gjysëm shekullore komuniste dhe nga sulmet verbale kundër SHBA. Amerikanët e kuptuan që propaganda komuniste nuk kishte ndikuar fare në ndjenjat pro amerikane të shqiptarëve. Nga ana tjetër, të shpërndarë në Jugosllavi dhe në Maqedoninë e sapo pavarësuar, Shqiptarët mbeteshin një faktor i rëndësishëm në Ballkan. Diplomacia Amerikane e dinte këtë. Po në këtë kohë, rrëzimi i Bashkimit Sovjetik, e kishte prishur statusin e privilegjuar të Jugosllavisë. Për sa kohë midis SHBA dhe BS vijonte rivaliteti i luftës së ftohtë, Beogradi, i papërcaktuar me asnjërin krah, ndihej i përkëdhelur nga të dyja palët. Secila palë donte ta kishte në anën e saj, ose minimalisht të mos ishte me tjetrin. Kur ky rivalitet mbaroi, Jugosllavia nuk mund ta kishte më të njëjtin status. Nuk mund të mbylleshin sytë përpara difekteve të saj, thjeshtë për të mos lejuar të afrohej më shumë me palën tjetër. Sepse pala tjetër thuajse nuk ekzistonte më dhe s’kishte ndonjë interes të madh në Ballkan. Veç kësaj, shteti i madh 22 milionësh Jugosllav u dizintegrua dhe balanca e forcave anti serbe ishte po aq e fortë sa ajo pro serbe. Sllovenët, Kroatët, Boshnjakët e më vonë edhe Mali i Zi u rreshtuan kundër serbëve duke e dobësuar më shumë ndikimin e këtyre.
Në këtë kohë ndodhi edhe lufta e Kosovës. Një faktor dominues që çoi në bombardimet ishte dobësia e Rusisë. Jelcin kishte probleme të mëdha ekonomike dhe kërkonte të ruante një raport sa më të mirë me perëndimin. SHBA e Klintonit nuk e konsideronte atë një faktor që mund të ndalonte bombardimet. Po ashtu shtetet e BE.
Sot situata është ndryshe. Rusia e Putinit është shumë herë më e fortë se sa ajo e Jelcinit 20 vjet më parë. Vendet e BE po mundohen të kenë marrëdhënie sa më të kujdesshme me Rusinë. Tramp është më i predispozuar të merret vesh se sa të përplaset me Putin. Interesat Amerikane në Azi mund të lejojnë një tolerim të Rusisë në Ballkan. Vetë Rusët janë sot më aktiv se sa kanë qenë çdo herë në këto 28 vjet pas shembjes së Bashkimit Sovjetik. Sot ata kanë reaguar sërish kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Maqedoni. E kanë bërë këtë në mënyrë brutale. Nuk është çudi që rusët të qëndrojnë pas vrasjes së Ivanoviçit në Mitrovicë, ose së paku të përfitojnë prej situatës së krijuar atje. Duke qenë gjithnjë dhe në çdo rast kundër Kosovës së Pavarur.
Rusët duan të krijojnë zonën e tyre të influencës dhe të jenë pjesë e vendmimarrjes në Ballkan. Kjo situatë mund të favorizojë serbët. BE e do Serbinë në Europën e Bashkuar, SHBA në NATO. Rusët e duan jashtë. I vendosur midis dy grupimeve tashmë rivale, Vuçiç mund të fitojë sërish statusin e privilegjuar që e kishte humbur Jugosllavia e vitit 1990. Duke luajtur nga pak dhe duke ju shkelur syrin të dyja palëve.
Natyrisht, Shqipëria ka shpëtuar një herë e mirë nga influenca Ruse. Në këtë vend rusët s’i kanë dashur kurrë. Ne jemi anëtarë të NATO -s dhe me ambicie të qarta drejt BE. Por Kosova dhe Maqedonia mund të kenë probleme. Raportet ndërkombëtare mund të ndryshojnë disi dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë. Duhet të marrim masa vetë.
Euforia e marrëdhënieve të mira me SHBA dhe BE nuk mjafton më. As analizat diletante që ne i duhemi SHBA dhe ajo në çdo rast do përplaset për ne. Ne duhet të kishim punuar dhe duhet të punojmë për një infrastrukturë të përbashkët. Në vend të krijimit të feudeve të shqiptarëve, duhej të kishim pasur një treg të përbashkët; një shoqëri të integruar kulturore e shpirtërore. Përrallat se ne jemi të zgjedhurit dhe të favorizuarit e Ballkanit duhet të marrin fund dhe ne duhet të ndërtojmë vetë vendin që na takon këtu. Duhet të jemi më të kujdesshëm ndaj aleancave tona natyrale dhe më kërkues për të ngritur shoqëri më demokratike, më të hapura dhe më pak të korruptuara.
Nëse nuk kujdesemi për veten, askush nuk do kujdeset më për ne. Dy dekada na ndihmuan të tjerët, tani mbetet të ndihmojmë veten!