Altin Basha vjen në “Arkapia” të gazetares Elsa Demo në një rrëfim total për krijimtarinë e tij në teatër dhe politikat në sistemin teatror që qeveria ka ndjekur në këtë 4-vjeçar.
Basha shpërthen ndaj kryeministrit duke pranuar se është zhgënjyer sepse arti dhe kultura janë jashtë vëmendjes së tij.
Regjisori shpërthen dhe ndaj ministres se kulturës Mirela Kumbaro.
Altin Basha: “Është i pafalshëm dështimi i plotë i kalendarit kulturor në Kosovë. I pafalshëm mungesa e komunikimit me produktin kulturor në Maqedoni. Është e gjitha pluhur mediatik. Nuk ekziston një marrëdhënie kulturore me Kosovën. E gjitha e dështuar, jo produktive.
Mendoj se ekzistojnë resurset, mundësitë, mekanizmat që këto të bëhen efektive. Në këtë kuptim mendoj se gjithçka ka prekur zonja Kumbaro e ka thyer. Prandaj e quaj një elefant në dyqanin e qelqurinave. Mbyllja e festivalit të të rinjve i nxorri jashtë sistemit teatror të rinjtë.
Është e pabesueshme që në momentin kur Shqipëria ka në krye të qeverisë një artist Shqipëria të ketë situatën më të keqe.
Nuk dua të dal në tezat që kryeministri nuk është i informuar për gjërat, nuk i di realetet. Çështja është se arti dhe kultura janë jashtë vëmendjes së tij dhe ky është një zhgënjim shumë i madh, jo vetëm për rëndësinë që ka arti e kultura por edhe për faktin që kryeministri është artist.
Qendra e artit që zonja Kumbaro e mbylli është ideuar në kohën e Ramës ministër, dhe për fat të keq, Rama ministër me Ramën e sotme kanë shumë ndryshim. Në atë kohë ishte shumë më tepër artist e më pak politikan, sot është më shumë politikan e më pak artist në kuptimin e sjelljes ndaj politikave teatrore.
Teatri kombëtar nuk është në kushtet e konkurencës. Teatri kombëtar i merr të gjithë në skenën e tij. Ky është një gabim edhe më i rëndë. Ky është elefanti. Elementët e parë krijues i absorbon dhe i vë emrin Teatri Kombëtar.