Loading...

Prof. Dr. Velesin Peculi – Kush ishte shkencetari nga Dukati qe u nda nga jeta ne menyre te parakoheshme !

Prof. Dr. Velesin Peculit ne vitin 2013 iu dha lamtumira e fundit nga familjarët, miqtë, shokët, bashkëpunëtorët dhe studentët e shumtë. Sëmundja e rëndë dhe e pa shërueshme, nuk e lejoi Profesorin dhe Shkencëtarin e nderuar të vazhdonte më tej punët dhe projektet e tij. Personalisht, edhe unë si student i tij, nëpërmjet këtij shkrimi shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të Prof. Velesinit, humbje kjo jo vetëm për familjarët dhe miqtë e tij, por për të gjithë studentët e bashkëpunëtorët, shoqërinë, Universitetin Bujqësor të Tiranës, stafin Akademik dhe lobin e shkencëtarëve të kësaj fushe. Por, përmes këtij shkrimi, dëshiroj të përgëzoj, personelin dhe pa përjashtim gjithë pedagogët dhe profesorët e stafit Akademik në Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe në mënyrë të veçantë Rektorin e këtij Universiteti Z. Fatos Harizaj, të cilët nuk u kursyen e nuk u lodhën asnjë çast, për t’ju ndodhur pranë Profesorit, familjes së tij gjatë periudhës më të vështirë të jetës, e cila e çoi drejt kësaj dite lamtumire e ndarje fizike. Profesor Velesini, largohet fizikisht nga jeta, por është e pamundur të largohet për shekuj nga memoria e mijëra studentëve, pedagogëve dhe personelit të Universitetit Bujqësor. Në këtë institucion, në të cilin ai iu përkushtua për afro gjysmë shekulli, me vullnetin, këmbënguljen, energjinë dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, me kontributin dhe veprimtarinë e tij, të cilën e nisi në moshën më të bukur të jetës si student i këtij Universiteti dhe u nda nga ky Universitet, duke përshkuar gjithë trasenë e gjatë të këtij tempulli të madh shkencor në Shqipëri.

Ai, u largua nga kjo kala gjigande e fushës së shkencës të bujqësisë së vendit tonë, jo vetëm kur arriti në majat e drejtimit të tij, por atëherë kur dha më të mirën e mundshme, por jo maksimumin, pasi energjitë e tij për shkencë nuk shteronin kurrë. Ai do të vazhdojë të jetë në auditorët, leksionet e seminaret, në tryezat e debateve dhe mendimeve shkencore, kudo që do flitet dhe do diskutohet për shkencën në përgjithësi dhe atë të bujqësisë në veçanti…

Arsyeja e mbetjes në kujtesën e memorien e të gjithëve, është se, shkencëtari dhe profesori Velesin Peculi me punën e pa lodhur, si specialist e drejtues në fushën e bujqësisë dhe me përvojën si lektor, pedagog e profesor i kësaj fushe, që fal mendjes së tij brilante, ka lënë për shoqërinë dhe shkencën, një thesar të jashtëzakonshëm, me botime, tituj shkencorë, bibliografi, leksione e tekste mësimore, që kanë vlerën shekullore. Ai do të vazhdojë të jetë bashkudhëtar i rrugës, vizionit, objektivave, idealeve, synimit dhe qëllimit, që ka

Universiteti Bujqësor dhe shkenca e bujqësisë, pasi ai është dhe do të mbetet një nga dhjetëra e qindra udhërrëfyesit drejt majave të larta të kësaj fushe. Profesori si një njeri largpamës, do të vazhdojë të jetoj gjatë, me idetë, mendjen, produktet e tij shkencore dhe intelektuale. Jo vetëm imazhi, por edhe mendimi i tij prej gjeniu në fushën e bujqësisë, do të jetë pjesë e tryezave të debatit, të investigimit për njohjen e situatës, në të gjitha nivelet e instancat e pushtetit në vend, për vendimmarrjen në lidhje me përmirësimin, zgjidhjen e situatave, për përcaktimin e objektivave, për të sotmen dhe të nesërmen e veprimtarisë dhe ecurisë së fushës së bujqësisë…

Personalisht, dhe unë si gjithë shoqëria, nuk ndjehem thjeshtë keq se humbëm një shok, një mik, një të afërm e shumë të dashur, apo një qytetar të kësaj shoqërie, por se humbëm një njeri me shumë kontribute dhe vlera njerëzore, shoqërore dhe intelektuale… Humbëm një profesor të denjë e të nderuar, një shkencëtar me kulturë e dije të madhe në fushën e vet, i cili ishte në kulmin e prodhimtarisë intelektuale dhe shkencore. Në këtë periudhë tranzicioni të stërzgjatur e të vështirë për shoqërinë tonë, vazhdojmë të kemi humbje të shumta të burimeve e potencialeve njerëzore, kur nevoja për të tilla kapacitete dhe energji mendore e shkencore është e madhe. Humbje të tilla, në fushën e shkencës janë jo vetëm tregues, që flasin për shterim me hapa të shpejta të kësaj plejade, dhe argumente të rritjes së varfërisë intelektuale të vendit…

Arritjet e kësaj plejade, që po i humbasim nga pak çdo ditë, janë humbje e madhe për fushat e terrenet, ku ne mateshim dhe ndesheshim, përballeshim me botën e viheshim në ring njësoj, si të barabartë, sidomos në fushën e shkencës së bujqësisë… Humbje të personaliteteve, të përmasave dhe niveleve të tilla shkencore, janë një thirrje dhe alarm për pushtetarët dhe shtetarët e vendit tonë, ku pa ta, jo vetëm që s’mund të mburren, por as që mund të realizojnë premtimet dhe objektivat e tyre. Në kohën kur me dashje apo pa dashje, ne jemi pjesë e globalizmit, të vetmit që mund të bëhen indikatorë, promotorë dhe ambasadorë të njohjeve, afrimit, konkurrimit e përshtatjes me botën, janë këta njerëz, këto talente, që shpesh kujtohemi dhe na bie ndërmend për ta, kur nuk i kemi më, ose kur i kemi humbur përgjithmonë… Shtetarët dhe pushtetarët, nuk duhet të mjaftohen thjesht me një sms, me një buqetë lule, apo me një përqafim e ngushëllim të të afërmve në çastet e ndarjes nga jeta me ta, duke bërë hipokritin para opinionit shoqëror. Ata, duhen respektuar dhe vlerësuar jo vetëm në çastin e lamtumirës, por në kohën kur janë dhe kanë gjithë mundësinë e potencialin për të dhënë maksimumin e mendjes së tyre, pasi ata nuk dinë të zvarriten si kërmij nëpërmjet metodave, që as i njohin dhe i kanë pështirë ti ushtrojnë, apo të bëhen servilë e sahanlëpirës të tryezave mediokre të politikës e shtetarëve.

Mospërfillja nga pushteti në kohën e duhur, bën që këto potenciale të jenë pjesë e harresës, duke mbetur jashtë strukturave dhe autoriteteve, të cilat kanë në dorë fatet dhe ecurinë e vendit… Nevoja e domosdoshmëria për kapacitete të tilla, s’duhet të jetë vetëm kur ne mbetemi keq, kur na detyrojnë ndërkombëtarët apo kur na duhet të përgatisim premtimet populiste dhe fjalimet parlamentare e elektorale. Pa mendjen dhe kontributin e personaliteteve të shkencës, çdo politikan, zyrtar, drejtues nga më i thjeshti e deri tek presidenti i vendit, pavarësisht nga mënyra se si e merr dhe e mban karrigen, do të ishte thjesht një kukull ose një dordolec i radhës… Personalitete të tilla duhet të kujtohen, të vlerësohen edhe kur ndahen poste dhe torta pushtetesh, karrige dhe kolltuqe…

Por, është për të ardhur keq, që njerëz që i përkushtohen shkencës, mbajtësit e titujve e gradave shkencore, i gjen sot të poshtëruar, jo thjesht nga posti që mbajnë dhe detyra që bëjnë, si specialistë të thjeshtë, por kur shikon se drejtuesit e tyre janë jo vetë militantët partie, por të paaftë e servilë të pushtetit, përbuzës dhe mospërfillës të mendimit e ideve shkencore, me injorancën më bastarde të shekullit… Jo vetëm unë personalisht, por mbarë opinioni shoqëror, qytetar dhe ndërkombëtar, nuk dimë si ta përkthejmë, si ta quajmë e çfarë kuptimi ti japim: Luks, komoditet apo injorancë të shtetit dhe pushtetit, praktikës alla shqiptare të administratës së deritanishme, kur njerëzit me grada shkencore Dr…, Prof. Asc…, Prof…, janë o pa punë o thjesht inspektor e specialistë… Ndërsa, dyzina e fushës së injorancës, vetëm se dinë zakonin e vjetër shqiptar…, janë jo vetëm drejtues dhe komandues, por shpesh kanë frenat e drejtimit dhe menaxhimit dhe gjenden në të gjitha institucionet dhe nivelet e pushtetit të vendit tonë…

Kujtimi, respekti, vlerësimi për plejadën shkencore, është detyrimi ndaj veprës me vlera që na kanë lënë në fushën e arsimit, pasi situata në të cilën jemi lë shumë për të dëshiruar dhe për të ardhur keq. Sot, ndërsa ne kemi gjithë mundësinë dhe shansin të vendosnim ”tulla” të tjera në muret e kështjellës së arsimit të ndërtuar dje me shumë mund dhe sakrificë, ndodhemi para fakteve, që përveç humbjes së potencialeve të tilla, po përballemi edhe me vijat e kuqe të analfabetizmit, kurse për shkencë …??? Në këto kushte, përveç se duhet ti themi lamtumirë mikut, shokut, profesorit, shkencëtarit, qytetarit të mrekullueshëm Prof. Dr. Velesin Peculit, duhet të bëjmë dhe një premtim solemn të gjithë pa përjashtim, para tij dhe kësaj plejade që po shteron, për të bërë më të mirën për arsimin, shkencën dhe njerëzit e arsimit e të shkencës.

Nga Fejzo Subashi

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com