Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, në një prononcim për mediat ka folur për merkaton, lojtarët dhe sfidën e humbur ndaj Flamurtarit. “Kemi pësuar një humbje në Vlorë si rezultat i një 11 metërshi të akorduar në minutën e fundit të kohës shtesë. Mendoj se në përballjen e luajtur ndaj Flamurtarit ekipi ka zbatuar mjaft mirë detyrat taktike të dhëna nga trajneri . Në këtë fazë ku jemi për ne është mjaft e rëndësishme që skuadra të bëjë paraqitje të tilla, për më tepër që ndaj Flamurtarit nuk kishim në dispozicion disa prej lojtarëve të afruar gjatë merkatos së janarit”.
A mund të konsiderohet e përfunduar merkato e Partizanit?
Po mund ta konsideroj të përfunduar, jemi mjaft të kënaqur me elementët që kemi afruar në ekip. Kemi rritur cilësitë teknike e fizike të skuadrës dhe mendoj se kemi goditur aty ku ishte e nevojshme përforcimi i skuadrës.
Komenti juaj në lidhje më çështjen Fili?
Është pozitive kur në ekip ka konkurrencë, Fili është lojtar i Partizanit. Ne prej disa kohësh kemi diskutuar edhe me menaxherin e tij mbi mundësitë që lojtari të ketë për të luajtur, pasi ka nevojë që të aktivizohet , duhet të fitoj besimin në aftësitë e tij. Ne e kemi konsideruar pjesë të Partizanit dhe prandaj kemi sugjeruar edhe një formë huazimi , që të kishim mundësi të shikonim edhe potenticialin e lojtarit. Fili nuk është i larguar kemi akoma për të biseduar. Çështja është që tek Partizani duhet të qëndrojnë vetëm lojtarët që kanë dëshirë të japin për skuadrën maksimumin e tyre. Besoj që fanella e Partizanit është e nderuar dhe e respektuar dhe e meriton që ti kthehet në këtë mënyrë respekti. Ne kemi afruar lojtarë përgjatë merkatos , normal që një lojtar si Fili ndihet disi në trysni, por është zgjedhja teknike e trajnerit se cilët lojtar do të aktivizoj në fushë.
Sot është përfolur se ndoshta Starova mund të mos jetë deri në fund të sezonit në drejtimin e skuadrës?
Këto lajme i lexova edhe unë në gazeta, nuk ka asgjë të vërtetë.