Pas blerjes së një automjeti luksoz, arredimit modern të zyrës, tani radha vjen edhe për nje ekspres kafe. Të gjitha këto shpenzime luksi janë kryer nga Drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi.
Ditët e fundit, ai ka firmosur një tender për të blerë kafe, për zyrën e tij. Ky autoritet do të shpenzojë plot 8 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 10 milionë me TVSH.
Sipas dokumenteve që disponon Tpz.al, AMF-ja do të blejë 13.340 kapsula për kafe ekspres. Sipas kërkesave të Koçit, kafeja duhet të jetë në formën e kapsulave dhe e cilësisë së parë. Gjithashtu kjo sasi kafe të shoqërohet dhe me katër aparate ekspresi për kafe kapsule (plastike), në përdorim gjatë gjithë vitit 2018. “Kafja duhet të jetë e amballazhuar në bustina alumini e mbyllur hermetikisht, që ruajne shijen dhe aromën. Kafja të jete e tipit ‘cafe aroma’. Sasia e kafesë të shoqërohet me sheqer, gota plastike dhe shkopa përzierës, për çdo kapsule. Furnizimi me kafe kapsule do të kryhet sipas kërkesës se A.M.F” – thuhet në këto dokumente.
Mësohet se afati i kryerjes së shërbimit nga momenti i shpalljes së fituesit deri më 31 dhjetor 2018. Pak javë më parë Tpz.al publikoi investigimin se drejtori i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF), Ervin Koçi ka vendosur të përdorë mbi 61 milion lekë të vjetra nga buxheti i shtetit për arredimin e zyrës së tij. Zyra e Koçit do të vishet me parket me dru lisi ose ahu të staxhionuar në mënyrë natyrale ose artificiale. Ky lloj parketi është nga më të kushtueshmit, me një vlerë mbi 100 euro/m2, po t’i referohesh çmimit të tregut.
Ndërkoë, Tpz.al denoncoi sesi drejtori i AMF-së u pajis me një makinë super të shtrenjtë, Mercedes Benz të vitit 2017, pavarësisht se makina që ai dispononte ishte gjithashtu shumë e re, e vitit 2013. Vlera që Benz-it ngjyrë të zezë dhe me xhama të errësuar, i tejkalonte 92 milionë lekë të vjetra.