Një Skëndërbe me përmasa që kurrë nuk e kanë parë më parë.
Monumenti po realizohet në Labinot Fushë 6 km larg Elbasanit.
Ngjan si diçka e përafërt me portretet e presidentëve në Amerikë të gdhendura në mal.
Autor i veprës gjigande është skulptori Fiqiri Kasa.
Sipas të dhënave, Gjergji i Madh është porositur nga Gjergj Luca, në Elbasan.
Gjithçka duket se përkon edhe me 550 vjetorin e vdekjes së Skëndërbeut dhe me shpalljen e këtij viti si Viti I Skëndërbeut në trojet Mbarëkombëtare.
Në një intervistë të shkurtër me skulptorin infoelbasani.al mësoi disa të dhëna rreth këtij monumenti portret.
Kasa ku po ndërtohet ky monument?
Pasi studiova terrenin si vend u përcaktua vendi rrëzë malit në afërsi të tuneleve në Labinot Fushë.
Është vepër e juaja apo e porositur?
Është e porositur nga Gjergj Luca.
Çfarë përmasash do të jetë monumenti?
Do të jetë vetëm portreti i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Ky monument do të jetë 8 m i lartë.
Që do të thotë më i madhi në Shqipëri dhe trevat shqiptare?
Po. Me sa di po. Është më i madhi i kësaj natyre në Shqipëri dhe në mbarë trevat shqiptare.
Në cilën fazë të projektit jeni?
Struktura e tij është prej metali dhe betoni. Jam duke punuar çdo ditë. Nuk ka mbaruar akoma. Thjesht deri tani ka marrë formën. Por, nëse gjërat ecin mbarë do ta përfundoj në pak javë.
Aty do të qëndrojë?
Po aty.
A keni në projekt monumente të figurave të tjera kombëtare?
Deri më tani kam realizuar disa monumente me figura historike e kombëtare që janë mirëpritur. Kam në projekt edhe disa të tjera.