Edmir Nilaj, një i ri i cili prej 4 muajsh ndodhej i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë ka ndërruar jetë. 21-vjeçari nga Malësia e Madhe ndodhej në spital që prej 3 shtatorit të vitit që lamë pas, pasi u plagos me armë zjarri në kokë nga Admir Dekovi.
Ky i fundit, një 35-vjeçar i cili dikur kishte shërbyer si efektiv i forcave komando, vijon të jetë në arrati.
Orët e para të 3 shtatorit, Edmir Nilaj ndodhej në një lokal me muzikë në Beltojë të Shkodrës, në shoqërinë e disa miqve të tij.
Një telefon i humbur u bë shkak për një konflikti të nisur brenda ambienteve të lokalit me disa persona të ulur në tavolinën ngjitur. Por zënka nuk u ndal aty dhe vijoi edhe jashtë ambienteve të lokalit.
Pikërisht në këtë moment, 35-vjeçari Dekovi, i cili punonte si truprojë në lokalin e natës ndërhyri duke e goditur fillimisht të riun me qytën e armës, e më pas me një plumb në kokë.
Që prej asaj kohe, Nilaj ndodhej i shtruar në spital, ku dhe fatkeqësisht humbi betejën me vdekjen duke ndërruar jetë. Për ngjarjen u arrestuan disa persona për moskallëzim krimi, ndërsa autori i saj arriti të largohej.
Para oficerëve të policisë, 4 të arrestuarit deklaruan se debati kishte nisur pasi Nilaj i kishte akuzuar se i kishin marrë celularin, ndërkohë që sipas tyre kjo nuk ishte e vërtetë.