Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shijak mëngjesin e sotëm, ku një 70-vjeçar ka pësuar djegie të mëdha, pasi banesa e tij u përfshi nga flakët. Mësohet se shtetasi me iniciale H.Sh, ka marrë dëmtime të rënda dhe ndodhet në Spitalin e Trumës Tiranë në gjendje të rëndë.
Sipas policisë shkak për zjarrin ka qenë një qiri i lënë ndezur gjatë natës. Në momentin e ngjarrje, 70-vjeçari ka qenë në shtëpi së bashku me djalin e tij. Banesa e tyre është njëkatëshe dhe e vjetër, dhe prej 5 vitesh nuk kishin energji elektrike.
Mësohet se ata jetonin në errësirë prej disa muajsh, pasi nuk kishin para për të paguar faturat e energjisë elektrike.
“Më datë 22.01.2018, rreth orës 04:00, në Shijak është djegur në banesë nga pakujdesia shtetasi H.Sh. 70 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë në gjendje të rëndë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shkak ka qenë lënia ndezur e një qiriri. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.