Loading...

Kush është prokurori i caktuar që ka hetuar Bashën, Çakon dhe Fullanin

Dosja e famshme hetimore e privatizimit të OSSH-së do të hetohet nga një prokuror tjetër. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të vijuar hetimet për mënyrën se si u privatizua OSSH-ja, dosja hetimore i ka kaluar tashmë prokurorit Ardian Braho, shkruan “Panorama”.

Më parë, ajo ishte në dorën e Alma Bratit, e cila pushoi hetimet për kallëzimin penal të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me aferën. Pushimi i çështjes u bë në muajin shtator të vitit të kaluar, ndërsa ish-juristi i OSHEE-së, Romeo Kara, së bashku me Komisionin Parlamentar Hetimor, iu drejtuan Gjykatës së Tiranës për pushimin e hetimeve.

Kjo e fundit vendosi pas një muaj e gjysmë, rihapjen e hetimeve dhe tashmë, dosja është marrë nga prokurori Braho. Dosja voluminoze ka të dhëna të auditit të KLSH-së për privatizimin e CEZ si edhe qindra e mijëra dokumente, që mund të çojnë në zbardhjen e çështjes. Dëmi i përllogaritur nga privatizimi i OSSHsë kap vlerën e 414 milionë eurove ose të rreth 58 miliardë lekëve.

Pushimi i hetimeve solli edhe përplasje të mëdha politike. Kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar për aferën CEZ, Taulant Balla, akuzoi ashpër prokuroren Brati, e cila, sipas tij, vendosi të pushojë çështjen brenda pak ditësh, kur dosja përmbante me mijëra faqe materiale.

Për këtë çështje kanë dëshmuar në Komisionin Parlamentar edhe ishkryeministri Berisha së bashku me të birin e tij, Shkëlzen Berishën. Por dëshmitë e tyre janë shoqëruar me replika politike.

DËMET

Sipas një auditi të Ministrisë së Energjetikës në vitin 2015, dëmi i shkaktuar nga privatizimi i OSSH-së ka kapur vlerën e 414 milionë eurove ose 58 miliardë lekëve. 22,806,087,840 lek, si dëm i shkaktuar nga ngritja e çmimit me pakicë 2010-2014.

Vendim i ERE nr.1 00, datë 15.12.2010 ku çmimi mesatar rritet nga 8.45 në 9.53 lek/ KEh. 13,603,704,156 lekë si pasojë financiare nga rivlerë- simi i borxhit të keq, për periudhën 31.12.2007-31.05.2009, sipas deklaratës rregullatore.

8,818,986,918 lek dëm i shkaktuar për efekt të ndryshimit të tarifës së shitjes së energjisë në vitet 2012-2014, për efekt të rritjes së borxhit të keq nga 14% në 16.85%. 5,980,000,000 lekë dëmi i shkaktuar për falje detyrimesh për kredi afatgjata Mars 2009.

2,871,232,945 lekë dëmi i shkaktuar për efekt të ndryshimit të tarifës së shitjes së energjisë në vitin 2011, për efekt të ndryshimit të humbjeve nga 32% në 34.65%.

1,900,000,000 lek dëm nga pranimi për pagesë detyrimi i pranuar i KESH, por i paargumentuar për kohën e krijimit. 1,572,029,433 lek dëm i shkaktuar nga rregullimi i çmimit të marrëveshjes. 379,000,000 lek dëmi i shkaktuar nga kompensimi i diferencës tarifë shitjeje energjie për vitin 2009.

Prokurori i CEZ hetoi Lulzim Bashën, Çakon dhe Fullanin

Prokurori Ardian Braho, emri i të cilit u përfol më shumë në një skandal korrupsioni ku u akuzua se kishte marrë 18 mijë euro nga një qytetar, ka hetuar disa prej dosjeve më të nxehta të këtyre viteve të fundit.

Një nga dosjet më të rëndësishme që ai ka pasur në dorë vitet e fundit, ka qenë ajo e sheshit “Skënderbej”, gjatë rinovimit që u bë në kohën kur kryetar i Bashkisë së Tiranës ishte Lulzim Basha. Ky i fundit u akuzua në atë kohë për dëme ekonomike të mëdha, por Ardian Braho në fund vendosi që ta pushonte çështjen ndaj Bashës.

Argumentimi ishte se vendimi për rinovimin e sheshit ishte marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Po kështu, Braho ka hetuar edhe ish-guvernatorin Ardian Fullani dhe Bankën e Shqipërisë, pasi një raport i KLSH-së konstatonte dëme të mëdha financiare dhe parregullsi. Mirëpo, edhe ky rast u mbyll për shkak të mungesës së provave. Më pas, Braho kishte në dorë hetimet për çështjen e pajisjes përgjuese dhe të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Ky i fundit u vu nën akuzë për pajisjen e përgjimeve duke pasur dyshime se ajo ishte përdorur në kundërshtim me ligjet. Ai mori në dorë edhe çështjen e përgjimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili pretendoi se i kishin vënë një përgjues në zyrë. Braho ka qenë prokuror edhe në çështjen ndaj ish-kreut të Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës, Florenc Hoxha, që u akuzua për shpërdorim detyre.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com