Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, shpall ngritjen e rrjetit të blogerave shqiptarë për promovimin e turizmit në Shqipëri.
Nisma u lancua nga kreu i turizmit në eventin “Oda Shqiptare”.
Kjo mbrëmje bëri bashkë 200 figura të spikatura shqiptare në vend dhe në botë, në fushën e artit, kulturës, biznesit dhe politikës shqiptare e në rajon.
Ftesës së Ministrit Klosi i ishin përgjigjur edhe Ministrat e Turizmit nga rajoni.
Klosi: “Jemi këtu për një qëllim shumë të thjeshtë; të bëhemi bashkë. Vendet me tradita turistike, e kanë një nga armët më të forta të promovimit të vlerave kombëtare, përmes emrave të njohur të vendeve të tyre. Kjo është ajo që duam të bëjmë të gjithë bashkë. Themelimin e rrjetit shqiptar të turizmit, nga Oda e traditave shqip.”
Ministri Klosi u kërkoi personaliteteve të pranishëm që të shpërndajnë përmes teknologjisë, jehonën e vlerave natyrore historike e kulturore të vendit tonë në mbarë botën.
Klosi: “Një klikim i juaj, në profilet tuaja, i një fotoje, videoje apo share, nga bregdeti, Alpet, Tirana, Berati, Gjirokastra, natyra, gatimi apo histori Shqipërie, ka efektin e më shumë se dhjetra panaireve, takimeve zyrtare apo parave të shpenzuara për promovim. Kjo është një e mirë që ju mund t’ja bëni Shqipërisë, turizmit shqiptar”.
Gjatë mbrëmjes u transmetuan materiale promovuese për Shqipërinë ndërsa eventi u mbyll me dhënien e çmimeve të mirënjohjes për kontributin e tyre ndaj vendit, sopranos së mirënjohur Inva Mula, instrumentistit virtuoz Olen Cezari si dhe Mario Dedivanovic- artistit të make -up, mjaft të njohur në Amerikë.