Nëse deri më tani keni qenë të pakënaqur me punën tuaj apo më keq akoma, të papunë, atëherë ky studim i agjencisë së rekrutimit dhe trajnimit EPPC Albania & Kosovo do t’ju vijë në ndihmë.
Kjo agjenci ka treguar për “Monitor” se cilat do të jenë profesionet më të kërkuara dhe më të paguara përgjatë vitit 2018. Sipas agjncisë, në 2018-ën do të ketë një kërkesë më të lartë për pozicione drejtuese, me punëdhënës që janë të gatshëm të mos kursehen për të pasur një staf drejtues të suksesshëm.
Kërkesa më e madhe për drejtues në vitin 2018 do të jetë në profilet e mëposhtme:
1. Shitje/Marketing;
2. Financë/Kontabilitet;
3. Specialistë informatike;
4. Inxhinier ndërtimi, mekanik, elektrik, informatikë;
5. Njohës të gjuhës gjermane/angleze dhe franceze.
Pagat në kategorinë e drejtuesve variojnë nga 150,000 – 400,000 Leke Neto.
Ndërsa profesionet që do të paguhen më shumë përgjatë këtij viti, janë gjithashtu në pozicione drejtuese, ku punëdhënësit paguajnë edhe 20-30% më shumë vetëm për të pasur drejtues profesionistë.
Pagat më të mira në 2018-ën do të jenë në pozicionet drejtuese të profileve të mëposhtme:
1. Sektori Bankar/Financiar;
2. Mineralet, Nafta & Gazi;
3. Informatika (Zhvilluesit);
4. Farmaceutika/Kujdesi shëndetësor;
5. Shitja me Pakicë;
6. Distribucioni.