Asambleja e djeshme e Partisë Socialiste, në të cilën u lavdëruan arritjet e PS-së në këto 100 ditë qeverisje, duket se nuk është pritur mirë, veçanërisht në momentin që bëhet një krahasim mes veshjeve luksoze të anëtarëve dhe deputetëve të kësaj partie, me mjerimin e skajshëm që ka kapluar vendin.
E një krahasim të tillë e bëri edhe gazetarja Edlira Gjoni, e cila vuri përballë, në një reagim të sajin në rrjetet sociale, Shqipërinë luksoze të markave e firmave më të mëdha, të cilat mbahen e vishen nga paria e vendit, me varfërinë dhe mizerjen që përjeton çdo ditë familja e Gëzimit, një banori në Fan, falë shtetit të mirëqenies sociale.
Edlira, e ndodhur mes dilemash e mëdyshjesh pas këtyre fotove, shtron pyetjen se cila është Shqipëria jonë e vërtetë? Ajo që na shfaqet në televizor, apo ajo që prekim e përjetojmë çdo ditë, në çdo hap që hedhim?
Publikimi i plotë i gazetares:
Cila nga këto është Shqipëria e vërtetë? Gëzimi dhe familja e tij në Fan mezi prisnin të fillonte Asambleja e Partisë së të varfëve. Vetëm se nuk ka televizor, as drita, ndaj nuk e shijon dot shtetin e fortë të Guccit, Armanit, Louis Vuitonit, Miu-Miut, Pradës, orave Rolex, makinave me xhama të zinj, syzeve që kushtojnë një palë aq sa atij i duhen për të jetuar vet’i katërt një muaj të tërë.
Ja këtë popullatë drejton sot shteti i fortë i Asamblesë Socialiste (e Parlamenit grotesk i kllounëve firmato edhe në partitë e tjera).
Parti, qeveri e Parlament i zhytur në luks, silikon, narcizizëm e paaftësi humane. Pa guxim të shohin realitetin në sy, e jo më të gjenerojnë zgjidhje për të! Turp!!!