Loading...

Fëmijët e shtruar nga fruthi, prindërit: Shërbim mizerje në QSUT, na kërkojnë lekë

Sëmundja e fruthit është rikthyer sërish në vendin tonë pas shumë vitesh. Në pavionin e Pediatrisë Infektive në QSUT janë shtruar deri më tani 11 vogëlushë të prekur, ndërkohë që ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga instancat përkatëse nëse ky është një rast epidemie apo jo.

Burime nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale bëjnë me dije se po priten rezultatet e raportit të Institutit të Shëndetit Publik.

Ndërkaq, ky i fundit në një prononcim për ‘GSH’ thekson se specialistët e këtij institucioni po monitorojnë situatën e së shpejti do të ketë një raport përfundimtar mbi situatën. Ndërkohë që mjekët e pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk pranojnë të prononcohen mbi numrin e fëmijëve të prekur nga fruthi e vijimësinë e rasteve të sëmura.

Megjithatë konsultoret e lagjeve pas lajmit për epidemi fruthi kanë marrë në telefon nënat e reja dhe i kanë kërkuar të vaksinojnë me urgjencë fëmijët ose në rast të kundërt do e mbanin përgjegjësinë vetë nënat për të vegjëlit e tyre. Kjo është një tjetër situatë kaotike ku nuk ka asnjë shprehje zyrtare nëse ka apo jo epidemi e në rast epidemie vaksinimi është totalisht i palejuar sepse mund të sjellë edhe vdekje të foshnjeve.

Reagimi i familjarëve
Ndërkohë në Pediatrinë Infektive gjejmë të shtruar disa fëmijë, të shoqëruar nga familjarët e tyre. “Djali im është 10 muajsh e ende mjekët nuk na kanë dhënë një përgjigje përfundimtare. Na thanë që mund të ketë fruth, por Instituti i Shëndetit Publik po merret akoma me analizat. Deri atëherë jemi në pritje.

“Ne nuk e kishim vaksinuar fëmijën, se vaksina bëhet mbi 1 vjeç”, – tregon nëna e foshnjës. Ndërkohë një prej familjarëve, i revoltuar hedh akuza drejt mjekëve për marrje parash kundrejt shërbimit.

“Këtu të shikojnë vetëm për të marrë lekë e as duan t’ia dinë. Ka edhe mjekë e infermierë të mirë, por ka edhe mizerje, që s’të prekin me dorë fëmijën po s’iu mbushe xhepin. Mjerë këto foshnja e mjerë e ardhmja e këtij vendi”, – rrëfen një nga familjarët e foshnjës për “Gazeta Shqiptare”. Sipas burimeve konfidenciale, 11 fëmijët e vegjël të prekur nga fruthi janë të pavaksinuar, edhe pse disa prej tyre e kanë kaluar moshën 1 vjeç, çka përkon edhe me moshën kur duhej bërë vaksina.

Por mesa duket, shtyrja apo refuzimi nga ana e prindërve ka bërë që këta fëmijë të preken nga fruthi. Në një prej dhomave të Pediatrisë Infektive të QSUT-së gjendet një tjetër vogëlush me fruth, edhe ky i paizoluar në karantinë.

“Fëmija im është me fruth, por nuk mund të flas, se jam edhe vetë e sëmurë me grip”, -thotë nëna e re për ‘GSH’. Deri më tani mendohet se ka qenë një fëmijë i paraqitur për vizitë mjekësorë në urgjencën e pediatrisë i prekur nga ky virus, çka ka infektuar edhe fëmijët e tjerë që kanë qenë prezent atë ditë.

Edhe pse prej më shumë se 30 vitesh, kjo sëmundje konsiderohej e zhdukur, fruthi është rishfaqur sërish në Shqipëri. Faktori kryesor për mosvaksinimin e fëmijëve u bë “alarmi” i shkaktuar dy vite më parë në disa portale të huaja, ku shkruhej se vaksina kundër fruthit mund të shkaktojë autizmëm tek vogëlushët 1- vjeçarë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com