Të gjitha beteja në hije të Ilir Metës kundër reformës në drejtësi, në fund fshihet pas fustanit të gruas
Krahas betejave të dukshme, Ilir Meta, ka ndërmarrë edhe një lëvizje të padukshme, si shpresën dhe gurin e fundit, për t’i shpëtuar drejtësisë së re, të paktën edhe përkohësisht. Në kushtet e dështimit të të gjitha përpjekjeve për sabotimin e reformës në drejtësi dhe për ta marrë një garanci nga SHBA-BE, Ilir Meta ka vendosur të shesë dhe të fundosë bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin, duke i përgatitur terrenin për ta çuar atë të parën drejt burgut, pas ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale.
Dihet tashmë se, është pasuria marramendëse dhe e paligjshme, ajo që rrezikon më shumë se çdo gjë tjetër Ilir Metën në raport me drejtësinë. Meta ka një pasuri prej dhjetëra milionë eurosh me vetëm dy rroga të deklaruara. Por çfarë ka bërë Ilir Meta? Vitet e fundit ai ka kaluar shumicën e pasurisë në emrin e Monika Kryemadhit. Kur të nisë hetimi për pasurinë e tyre, Byroja e Hetimit do të godasë fillimisht Monikën dhe jo Ilirin, pasi pasuria, në letra, ka kaluar në emrin e Monikës. Që pas nisjes së përpjekjeve për miratimin e reformës në vitin 2015, Meta i ka kaluar pasuritë e paluajtshme në emrin e Monikës. Madje, gjatë vitit 2016, kur u miratuan ndryshimet e Kushtetuese, Monika Kryemadhi ka deklaruar katër shtëpi, në emrin e saj. Monika i ka shitur të katër shtëpitë, ku vetën njëra ka kushtuar mbi 350 mijë euro.
Ilir Meta dhe LSI janë rrethuar më të kuqe nga Perëndimi si kundërshtarët më të përbetuar, më të rrezikshëm dhe të kamufluar të reformës në drejtësi. Nëse Sali Berisha, Lulzim Basha dhe çeta e gjyqtarëve të korruptuar dolën hapur kundër reformës, Ilir Meta, ditën përbetohej pro reformës, ndërsa natën dhe në prapaskenë nuk linte gurë pa luajtur kundër saj. Beteja e Ilir Metës kundër reformës në drejtësi është zhvilluar në disa plane. Së pari ai u përpoq të sabotonte me votë reformën, gjatë bashkëqeverisjes me Edi Ramën, duke bashkëpunuar me Sali Berishën dhe bandën e gjyqtarëve të korruptuar si dhe me zarin e tij në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Më tej, Ilir Meta, me anë të Petrit Vasilit, Ylli Manjanit dhe Luan Ramës tentoi ta përdhoste reformën, duke ndryshuar përmbajtjen e ligjeve, për të lënë disa shtigje për të shpëtuar. Të gjithë i mbajnë mend draftet paralele të LSI për ndryshimet kushtetuese, që hidheshin në kosh të plehrave nga amerikanët.
Kur të gjitha përpjekjet dështuan, Ilir Meta ka ndërmarrë një tjetër aksion, javët dhe muajt e fundit për t’i shpëtuar reformës. Ilir Meta shpërfytyroi gruan në parlament, duke sulmuar me këpucë kryeministrin, por këpuca ishte një mesazh kundër SHBA, BE dhe reformës. Ilir Meta detyroi zonjën e tij të dytë, Petrit Vasilin të shpallte amerikanët pushtues të vendit, të kërcënonte me vdekje Edi Ramën, duke i kujtuar fatin e Esat Pashë Toptanit etj. Ilir Meta degradoi deri aty sa që i dërgoi një letër mashtruese Presidentit Donald Trump, kundër Edi Ramës, me shpresë se amerikanët do ta falnin. I dha nënshtetësinë Janullatosin për të fituar mbështetjen e grekëve. Ka nisur të flirtojë edhe me rusët dhe serbët, për të siguruar një strehim të mundshëm.