Eksperti i Aviacionit, Dritan Goxhaj, ka sqaruar se çfarë kapacitetesh është në gjendje të përballojë aeroporti i Kukësit.
“Aeroporti i Kukësit nuk është parashikuar si aeroporti i Rinasit. Aeroporti i Kukësit është parashikuar për avionë mesatar me 70 pasagjerë, maksimumi 90. Aeroporti i Kukësit është si aeroporti i Isburgut në Austri. Aeroporti i Isburgut është 2 mijë metër pistë dhe i Kukësit është 1800 metra.
Nga ana teknike është testuar në vitin 2017 nga një kompani greke. Ata kanë sjellë një dokument ku thonë se pista mund të mbajë një peshë prej 45 ton. Avionë më të mëdhenj se 45 ton, pista nuk ka kapacitet t’i mbajë. Aeroporti i Kukësit mund të shërbejë si një aeroport loë cost rajonal.
Aeroporti Kukësit ka edhe një të mirë, pasi në rast se do të udhëtosh në drejtim të Europës, është 100 km më afër sepse avionët nga Rinasi shkojnë fillimisht nga Kukësi“, tha ai, në studion e Ora news.
Por Goxhaj tha se edhe 4 vite çmimet e biletave nuk do të kenë ndonjë ndryshim derisa të ndërtohet aeroporti i Vlorës.Ai thotë se qeveria mund të ulë çmimet nëse krijon kompaninë shtetërore të fluturimeve. “Në rast se aeroporti fillon sivjet duhet 4 vite të mbarojë. Në këto kushte që jemi edhe 4 vite të tjera do të jemi kështu.
Qeveria ka mundësi të bëjë një ulje drastike të çmimeve, duke hapur një kompani shtetërore. U bë një vit që thuhet do të hapet, do të hapet. Kompania shtetërore nuk paguan tarifa aeroportuale dhe duke qenë se nuk paguan, çmimi jo 30 euro, por do të ulet 70 euro”, u shpreh Goxhaj.